Kah shkon Turqia?

 

Turqia ka goxha përvojë në puçet ushtarake. Ushtria turke pas Ataturkut ka pas rol të madh në shtet. Madje asaj i takonte edhe ruajtja e amanetit të reformatorit të famshëm turk – Kemal Ataturk, i cili ndryshoi alfabetin arab, hoqi perden, aplikoi parlamentarizmin, vendosi barazinë mes gjinive. Por, para së gjithash ushtria kishte rol të ruajë sekularizmin në pushtet dhe shtet. Në çdo situatë kur në të kanë depërtuar elementet fetare, ushtria haptazi i mënjanonte. Ajo në fakt ishte mbrojtëse e Kushtetutës së vitit 1924, e cila qartë definoi Turqinë si shtet sekular. Po ashtu në domenin e ushtrisë ka qenë edhe pengimi dhe eliminimi i udhëheqësve të pamatur, të cilët me ambiciet e tyre të mëdha për ta forcuar pushtetin personal i bënin dëm shoqërisë turke.

Por, të fillojmë me radhë.

Puçi i parë ushtarak në Turqi ndodhi në vitin 1960, kur 38 oficerë të ri të udhëhequr nga Alparslan Turkesh dhe më pas gjenerali Kemal Gursel, rrëzoi kryeministrin Adnan Menderes, i cili kishte filluar afrimin me Rusinë duke ia kthyer shpinën Uashingtonit. Një vit më vonë të njëjtit iu ekzekutua dënimi me vdekje.

Puçi i dytë ndodhi në vitin 1971, kur komanda e gjeneralëve ushtarak i pat dërguar letër të hapur në formë të ultimatumit kryeministrit Sulejman Demirel, duke potencuar kaosin ekonomik, shoqërinë e korruptuar, krimin e organizuar dhe stagnimin ekonomik. Kjo e detyroi Demirelin të jep dorëheqje.

Puçi i tretë ndodhi në vitin 1980 kur ushtria serish doli në rrugë për shkak të problemeve të thella ekonomike dhe jo-stabilitetit politik. Gjatë kësaj kohe kishte qërime të hapura të armatosura në mes do partive të majta dhe të djathta në Turqi. Kjo krijoi kaos të vërtetë, me ç’rast ushtria e udhëhequr nga gjenerali Kenan Evren, mori pushtetin. Evren ishte dy mandate president dhe dukshëm stabilizoi situatën në Turqi.

Kreu ushtarak turk poashtu pat ndikim vendimtar pas vdekjes misterioze të kryeministrit të famshëm dhe reformatorit Turgut Ozall. Tani vërtetohet se ai paska qenë helmuar nga dikush. Gjatë kësaj kohe Turqia vuri bazat e shëndosha të një ekonomie të tregut, e cila dha rezultate të mëdha.

Gjeneralët turk në emër të sekularizmit, në vitin 1996 detyruan kryeministrin Nexhmetin Erbakanin me orientim islamik që të tërhiqet, kurse partia e tij u pat mbyllur.

Çka ndodhi tani?

Pas do lëvizjesh në ambientin politik turk, me përkrahjen e liderit islamik turk Fetullah Gulen, Erdogani erdhi në pushtet nga pozita e kryetarit të Stambollit (ku ishte treguar mjaftë i suksesshëm). Kjo i dha kurajë që të formojë Partinë e Drejtësisë dhe Zhvillimit dhe me ndihmën e Gulenit fitoi pushtetin. Disa vite më vonë Erdogan eliminoi Gulenin duke potencuar disa arsye, të cilat më tepër ishin shkase se sa shkaqe të vërteta, kurse qëllimi i vërtetë ishte forcimi i pushtetit personal. Gjashtë vite me radhë Erdogani zhvilloi fuqishëm ekonominë turke sipas kornizave që kishte vënë Ozali. Fakt se rol të madh këtu kishte Ahmet Davutoglu. Por, viteve të fundit filloi një stagnim, i cili lidhet edhe me rrethanat e ndryshuara jashtë – konflikti në Siri, humbja e shumë tregjeve arabe etj.

Pakënaqësia në elitën turke filloi kur Erdogani haptazi lansoi idenë për të ndërtuar sistem presidencial, duke ofruar veten si personalitet i pakontestueshëm për këtë post. Këta ambicie të Erdoganit me gjasa i patën penguar kryeministrit Davutoglu, i cili dha dorëheqje (por, me arsye tjera). Tani Erdogani populist, hasi në pengesa të mëdha në qëllimet personale të tij pë t’u shndërruar në një “sulltan” të ri turk.

A ishte puçi i kontrolluar nga Erdogan?

Ka të thëna nga njohës eminentë të situatës në Turqi se Erdogan personalisht ka montuar grusht-shtetin për disa arsye. Së pari, do të forconte dukshëm pozitat e veta populiste në realizimin e qëllimeve të tija finale. Së dyti, do të eliminonte të gjithë kundërshtarët e vet në çdo pore të pushtetit (ushtri, gjyqësi, prokurori, administratë, etj). Ushtria viteve të fundit disa herë pat tërheq vërejtjen për funksionimin e pushtetit, sidomos prezencës së korrupsionit në të. Së treti, sipas devizës – kush nuk është me mua, ai është kundër meje – dëshiron të vë në kontroll edhe atë pjesë të mediumeve që kanë qëndrim kritik ndaj tij.

Eksperti i njohur Zervas, në “Press Publica” thekson se nëse puçi ushtarak nuk është i montuar nga vet Erdogani, shanset janë të mëdha që i njëjti të ketë qenë i kontrolluar nga ai. Ka gjasa reale që Erdogan të ket fut elemente të vetat në ushtri që të inkurajojnë puçistët se fare lehtë do ta kenë, me qëllim që puçi të dështojë dhe kundërshtarët t’i eliminojë. Edhe amatorët e dinë se puçet nuk bëhen në mbrëmje, por në orët e hershme të mëngjesit kur njerëzit janë në gjumë. Njëherit mbeten enigmë se si është lënë në funksion rrjeti i internetit, i cili mundësoi tubime njerëzish! Poashtu potencohet se është jashtë çdo logjike puçi ushtarak me rreth vetëm 5000 ushtarë në ushtrinë njëmilionëshe!

Eksperti gjerman Mihail Liders poashtu vë dyshim të thellë se puçi nuk ka qenë një kurth për kundërshtarët politikë. Tani shumë gjeneralë e ushtarë janë në burg, mijëra gjykatës të shkarkuar, qindra mijë nën trajtime. Dejli telegraf, shkruan se Erdogani karakterizohet me paranojë dhe hakmarrje. Linçet dhe prerjet e kokave ushtarëve nëpër rrugë janë shenjë tejet trishtuese. Vet Erdogani kërcënoi me gjykim mizor!!! Ai vite me radhë përmend do “forca të errëta”. Gazeta në fjalë potencon se tmerri i vërtetë i Erdoganit tani do të shihet. Por, dhuna do të prodhojë vetëm dhunë!! 

Pse nxehen do Shqiptarë?!

Blendi Fevziu me të drejtë pyet – ç’kanë Shqiptarët që aq shumë u nxehen kokat për Erdoganin?! Dhe vazhdon – “dje pashë një grup studentësh që grisnin diplomat e tyre sepse ato ishin lëshuar nga Kolegjet e Gulenit. Që nga Revolucioni Kulturor Kinez nuk kisha parë një gjë më absurde”. E unë them, le t’u nxehen kokat shqiptarëve nëse diçka u ndodh shpëtimtarëve të shqiptarizmit në shekullin 20 dhe 21. Njëherit pyes se si u rrinë kokat aq të ftohta kur nga Maqedonia këto 10 vite janë shpërngulë rreth 200 mijë bashkëkombës të moshës më të re!!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button