АNALIZË: Pas parave evropiane nga fondet IPA, probleme edhe me IPARD-in?  

Maqedonia, gjegjësisht autoritetet fituan sinjal të qartë nga ana e revizorëve evropianë se duhet vullnet politik për zbatimin e reformave, e zvogëlimi i parave evropiane nëpërmjet fondeve IPA është njëra nga këto porosi. Në këtë mënyrë përfaqësuesi i delegacionit të BE-së e konfimoi qëndrimin e Komisionit Evropian, i cili tashmë i ka zvogëluar mjetet e IPARD-it. Insituticionet e vendit me qëndrim ndryshe. Nga policia financiare njoftuan se ka hetim për dy raste që kanë të bëjnë me keqpërdorimet e mundshme të parave evropiane, njofton analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Prokuroria publike thotë se zhvillohet procedurë parahetimore, ndërsa Agjencia kompetente për mbështetje financiare të bujqësisë thotë se nuk bëhet fjalë për hetim, por për pengim të tentimit për keqpërdorim të parave.

Shumë para në dispozicion, shfrytëzim i dobët…

Sipas marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet qeverisë dhe Komisionit Evropian, në periudhën ndërmjet vitit 2007 deri në vitin 2011, Maqedonia ka pasur në dispozicion 45.700.000 еuro dhe shuma prej viti në vit vazhdimisht është rritur. Paratë për sektorin bujqësor, sipas kushteve të financuesve, kryesisht janë dedikuar për “investime në ekonomitë bujqësore me qëllim të ristrukturimit dhe avancimit për arritjen e standardeve të BE-së, si dhe investime për përpunim dhe marketing të produkteve bujqësore në përputhje me standardet e BE-së”.

Pas njoftimit se Komisioni Evropian i zvogëlon mjetet nga fondet IPA për shkak të mungesës së reformave, tani hapet edhe çështja për mënyrën në të cilën janë harxhuar paratë edhe nga programi IPARD për bujqit.

“Në Maqedoni zhvillohen disa hetime për veprën penale “mashtrim me mjetet e fondeve evropiane”. Janë zbuluar parregullsi, të cilat rregullisht, nëpërmjet sistemit dorëzohen te institucionet kompetente dhe siç thashë, janë konstatuar edhe disa raste të mashtrimeve potenciale dhe për to tani janë duke u zhvilluar hetime. Kryesisht rastet për të cilat zhvillohen hetime ose parahetime tashmë janë në kompetencë të Prokurorisë publike, ndërsa janë përfshirë edhe fabrika dhe kombinate bujqësore, të cilat kanë blerë pajisje që nuk është në përputhje me standardet evropiane, gjegjësisht me shfrytëzimin e mjeteve nga masa e pestë e paraparë me IPARD-in. Nga ana e Policisë financiare procedura ka përfunduar, rastet gjenden në Prokurorinë publike, që do të thotë se prokuroria e kryen punën e saj”, thotë për Portalb.mk drejtori i policisë financiare, Aleksandar Tërgaçevski.

Prokuroria publike nuk dëshiron të komunikojë detaje me arsyetimin se bëhet fjalë për procedurë parahetimore, mirëpo nga Agjencia kompetente për mbështetje financiare thanë se fare nuk ka pasur keqpërdorime.

“Agjencia për mbështetje financiare të bujqësisë dhe zhvillimit rural zbuloi raste të dyshimta të tentimit për mashtrim gjatë shfrytëzimit të mjeteve ng programi IPARD dhe ato ia përcolli Drejtorisë së policisë financiare si organ kompetent për zbatimin e hetimit. Pas zbulimit të rasteve të dyshimta, është ndërprerë pagesa për gjithë kontingjentin e këtij lloji të mekanizimit, me qëllim të mbrojtjes së interesave financiare të Bashkimit Evropian dhe të Maqedonisë”, njoftuan nga Agjencia për pagesa.

Në periudhën 2009-2013, sipas informatave nga Sekretariati për politikë evropiane, janë realizuar gjithsej 8 thirrje publike, që kanë rezultuar me nënshkrimin e 178 kontratave ndërmjet Agjencisë për mbështetjen financiare të bujqësisë dhe zhvillimit rural dhe shfrytëzuesve të fundit.

Pyetja për mënyrën e shfrytëzimit të parave evropiane nga programi IPARD u parashtrua menjëherë pasi Komisioni Evropian njoftoi se Maqedonisë do t’i zvogëlohen mjetet nga fondet IPA për mbi 100 milionë euro.

“Para do kohësh Komisioni Evropian i publikoi shqetësimet në lidhje me mosplanifikimin në sektorët kyçë, mospasjen e përcaktimit politik për reforma strukturore dhe për dispozitat e përgjithshme dhe për këtë arsye Komisioni vendosi ta zvogëlojë mbështetjen financiare për vitin 2016, si dhe të vazhdojë me të njëjtën edhe me një projekt tjetër. Gjykata evropiane e revizorëve para dy javësh e potencoi nevojën që autoritetet të tregojnë vullnet politik të vazhdojnë me reformat që të mundet ndihma evropiane të jetë më efikase”, deklaroi për Portalb.mk përfaqësuesi i delegacionit të BE-së, Martin Klauke.

Sipas tij, duhet të përmirësohet dhe të vijë në shprehje vetëdija e personave që janë pjesë e administratës që ka për detyrë t’i ndjekë parregullsitë gjatë shfrytëzimit të parave evropiane dhe t’i zbulojë mashtrimet e mundshme.

Një nga ato raste, të cilat tashmë janë hapur nga ana e hetuesve evropianë, është edhe “Aktori” – projekt që mbështetet me paratë e fondeve dhe financuesve të BE-së.

“Hetuesit e OLAF-it kanë reaguar në disa raste të mëparshme kur ka pasur dyshim për mashtrim në rastet me menaxhimet e fondeve evropiane për programet arsimore evropiane dhe për mobilitet, si dhe me ndihmën për paraanëtarësim në projektet infrastrukturore (rasti Aktor). Si rezultat i hetimeve të tilla dhe të ngjashme, dy vjet u suspenduan paratë evropiane për Agjencinë nacionale për programe arsimore evropiane dhe mobilitet”, deklaroi para do kohësh për Portalb.mk , Bojan Mariçiq, nga Qendra ndërkombëtare për arsim evropian.

Sipas qeverisë, zvogëlimi i mjeteve të IPA-s është pasojë e krizës politike, të cilën e shkakton LSDM-ja opozitare.

“Maqedonisë nuk i janë miratuar mjetet për shkak të zhvillimeve të brendshme në Bashkimin Evropian dhe për shkak të krizës politike në vend. Qeveria do të gjejë mënyra për ta kompensuar mungesën e këtyre mjeteve që t’i realizojë projektet e parapara”, deklaroi kryeministri teknik, Emil Dimitriev.

Shfrytëzimi i mjeteve nga programi IPA1, për periudhën 2007-2013 ka qenë 61,8 për qind. Në fakt, sipas të dhënave nga qeveria, shuma e përgjithshme e parave të tërhequra është 614,7 milionë euro, me ç’rast janë nënshkruar 957 kontrata në vlerë prej 379,8 milionë eurosh. Deri në fund të vitit  2017 mbetet të shfrytëzohen edhe 97 milionë euro nga ky program, me ç’rast shfrytëzimi do të ishte ndërmjet 75% dhe 80%.

Me programin IPA2 për periudhën 2014-2020, në kuadër të të cilit ka tetë sektorë, nga gjithsej 664 milionë euro, që janë paraparë në dokumentin strategjik nacional të Republikës së Maqedonisë, deri tani janë programuar mjete në vlerë prej 445,6 milionë euro. /Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button