Për kë mërziteni ju?

Nuk doja të bëhem pjesë e këtij debati vetëm për një arsye, nuk doja që edhe unë të kontribuoj në këtë debat që në asnjë mënyrë as nuk na favorizon e as nuk na dëmton fitorja ose dështimi i Erdoganit.

Të sqarohem shkurt dhe qartë.

Nuk i urrej turqit. Përkundrazi kam shumë shokë dhe shoqe turq (turq të vërtet) që i çmoj dhe respektoj.

Nuk i dua ata që bëjnë tifo për Turqinë duke mohuar identitetin e vet. Që janë shpirt shituri dhe që me zorr tentojnë ta tjetërsojnë veten.

Rezistova deri tani pasi deri diku e prisja atë përkrahje të shfrenuar duke pasur parasysh edhe festimet euforike për fitoret e AKP-së në zgjedhje nga disa përkrahës të verbuar. Po nuk munda të duroj kur e pashë turmën e njerëzve dje në Shkup, që qëndronin në të ftohtë dhe nën ombrella për një kauzë “të shenjtë”. Kishin dalë në rrugë të ngratët të shqetësuar për fatin e vendosur në udhëkryq të Turqisë.

– Kur dëgjova deklaratën e njëfarë ish ushtari të UÇK-së që ishte i gatshëm të sakrifikohej edhe me jetë së bashku (sipas tij) edhe me një grup shokësh për Erdoganin.

– Kur e pashë sot, si për inat, si për të shpërthyer mllefin e akumuluar brenda këtyre ditëve, një grup  ish studentësh të kolegjit Yahja Kemal që grisnin diplomat e tyre në shenjë revolte kundër pronarit të kolegjit Fetullah Gylen. E kjo ishte kulmi. Të ndjekësh studimet 4 vite në një shkollë, pa marrë parasysh pronë e kujtdo qoftë, dhe në fund të grisësh vërtetimin e atyre 4 viteve të investuara në dije, kohë dhe shumë mjete financiare vetëm se Fetullah Gyleni ka armiqësi me “liderin” tënd ? Ku është logjika, ku është arsyeja, ku është vetëdija ?

Të mjerët ju. Me këtë gjest vetëm keni dëshmuar se as një thërrime dije nuk keni.

O shqiptarët e mi të shqetësuar për fatin e Turqisë dhe Erdoganit a u shqetësuat ju në këtë mënyrë kur Shqipëria (vendi juaj amë) në 1997 kishte grusht shteti me pasoja fatale ?

A u mërzitët në këtë nivel që po vajtoni sot për jetët e humbura në atë kohë, për rënien totale të shtetit në duart e grupeve rebele ?

A u mërzitët më 21 janar 2011 kur në Tiranë u vranë 4 persona vetëm për shkak të dëshirës patologjike të vëllait të liderit tuaj, Edi Ramës, për të marrë pushtetin me çdo kusht ?

Të bëjë krahasime më të thjeshta a mërziteni ju se Jugohromi na helmon ?

A dilni në protesta ashtu siç dolët dje ?

A mërziteni ju se Maqedonia e sidomos pjesa shqiptare, paguan çmimin e energjisë elektrike ndër më të lartin në Evropë ?

A mërziteni ju se vendbanimet shqiptare kanë mungesë të elementeve primare si ujit, rrugëve, kanalizimit, pastërtisë publike, ndriçimit publik ?

A mërziteni ju për nivelin e tejskajshëm të varfërisë, papunësisë, korrupsionit ?

Më thjeshtë a mërziteni ju për vetveten ?

Turqia viteve të fundit po lulëzon në aspektin ekonomik dhe të mirëqenies sociale dhe nuk mund ti mohohen meritat sulltanit tuaj. Po le ti gëzojnë këto të mira turqit. Ja u pashin hajrin.

Po ju ku e keni dobinë këtu ?

Askush nuk ju a cënon të keni simpati ose antipati për dikënd por a po e kuptoni se simpatia juaj ka arritur në nivelin e një sëmundje ?

Nëse Erdogani është i dobishëm për popullin turk ata do ta legjitimojnë vet. Po edhe në qoftë se është i padobishëm do ta ndëshkojnë vet.

Turqisë besoj se i mjaftojnë mbi 80 milionë banorët e vet.

Erdoganat dhe Gylenat tuaj i keni mu para syve tuaj çdo ditë, ju duhet vetëm të reflektoni dhe ti thirrni mendjes të riktheheni në realitet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button