Vojvodinë, bora ka bllokuar edhe autobusë me kosovarë

Mediat në Serbi raportojnë se janë evakuuar mbi 1,000 persona të ngujuar në makinat e tyre dhe autobusët në veri të vendit, për shkak të bllokimit të rrugëve nga stuhia e borës.

Gjithashtu, hekurudhat serbe njoftojnë se kanë evakuuar dhjeta udhëtarë të ngujuar në dy trena që i kishte zënë bora në rajonin e Vojvodinës.

Erërat, që po fryjnë deri në 160 km/h, në disa rajone kanë krijuar shtjella të larta deri në 3.5 metra.

Ndërkaq, sipas disa informatave të siguruara nga Koha.net, mësohet se të ngujuar ka edhe shqiptarë nga Kosova, të cilët po kalonin nëpër Serbi e që për destinacionin e kishin Kosovën.

Një lexues yni ka dërguar informatën se në mesin e të ngujuarve shqiptarë të Kosovës është edhe një autobus i kompanisë “Bici Com” dhe “Barileva Turist”, por edhe shumë makina të tjera.

Besim Hajdaraj gjithashtu bën me dije se të ngujuarit shqiptarë në rrugët e Vojvodinës janë duke qëndruar nëpër pompa të benzinës, në pritje të ndihmës nga shteti serb për t’i evakuuar apo për të hapur rrugën.

E autoritetet serbe i bëjnë thirrje popullatës në Vojvodinë që t’i shmanget udhëtimeve dhe të rrinë në shtëpitë e tyre gjatë fundjavës./ Tribuna

Lajme të ngjashme

Back to top button