Reagon MPJ e Shqipërisë për zhvillimet e fundit në Turqi

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë ka reaguar sot në lidhje me zhvillimet e fundit në Turqi, pas tentativës për grusht shteti, raporton Anadolu Agency (AA).

Nëpërmjet një deklarate zyrtare për mediat MPJ e Shqipërisë thekson se ka ndjekur me shqetësim dhe vëmendje të veçantë zhvillimet e orëve të fundit në Turqi.

“Përshëndesim vendosmërinë e popullit turk dhe përfaqësuesve të tyre legjitimë për të rikthyer rendin kushtetues dhe shprehim mbështetje të plotë për qeverinë e zgjedhur demokratikisht, institucionet e vendit dhe sundimin e së drejtës. Turqia mike dhe aleate e ngushtë në NATO është një vend kyç në luftën kundër terrorizmit me kontribute të pazëvendësueshme në përballimin e sfidave të sigurisë dhe një prej shtyllave të rendit ndërkombëtar”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme.

Gjithashtu MPJ shpreh ngushëllimet më të sinqerta për autoritetet dhe popullin turk për jetët e humbura dhe uron shërim të shpejtë për të plagosurit dhe normalizim të shpejtë të situatës në vend.

“U bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë që të shmangin zonat e prekura nga trazirat, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve turke dhe mediat lokale në vijimësi. Ambasada jonë në Ankara dhe Konsullata në Stamboll janë në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave për asistencë. Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve tanë dhe bashkëpunimin e operatorëve turistikë që deri në normalizimin e plotë të situatës të koordinojnë veprimet për lëvizjet e parashikuara drejt Turqisë”, thuhet më tej në deklaratën zyrtare të këtij institucioni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button