Pranga 37-vjeçarit, strehoi Ilir Kupën

Policia ka arrestuar ditën e sotme një 37-vjeçar, i cili akuzohet se ka ndihmuar të shumëkërkuarin Ilir Kupa.

Burime nga policia e Lezhës bëjnë me dije se është ndaluar Agron Picaku, i cili dyshohet se ka strehuar Kupën në kohën kur ky i fundit ndodhej në arrati.

Sipas policisë, Picaku është arrestuar në shtëpinë e tij në Lezhë pasi kishte një javë që ishte kthyer nga Greqia, ku ishte njohur në burg me Ilir Kupën.

I shumëkërkuari Ilir Kupa u arrestua pak ditë më parë gjatë një operacioni policor, në periferi të Tiranës.

Ndërkohë, i arratisuri nga  burgu i sigurisë së lartë në Trikalla Ilir Kupa është më shumë se i vendosur për të mos shkelur më kurrë në një qeli greke. Disa ditë më parë, 27-vjeçari ka shfrytëzuar mediat në sallën e gjyqit për të shprehur refuzimin e tij ndaj një ekstradimi të mundshëm në tokën helene.

“Kërkoj më mirë paravrasje nga drejtësia shqiptare që të jenë të kënaqur dhe shokët e mi që janë vrarë mbrapa kurrizit , që janë masakruar nga 300 plumba në trup secili. Në Greqi nuk do shkoj, vetëm i vdekur” deklaroi disa ditë më parë në sallën e gjyqit Ilir Kupa.

Përtej revoltës në kafazin e hekurt, Ilir Kupa nuk i ka shpëtuar dot masës së sigurisë me burg edhe pse akuza e vetme zyrtare në Tiranë është ajo e “armëmbajtjes pa leje”.

Pikëpyetje e madhe mbetet ekstradimi i tij në tokën helene, ku autoritet greke kanë nisur procedurat. Por avokati i Kupës, Lazër Sokoli, sqaroi se ende nuk ka një kërkesë të tillë.

“Ai nuk ka kryer asnjë krim në shtetin shqiptar. Nuk është person i rrezikshëm në shtetin shqiptar. Këto armë ai i ka mbajtur vetëm për t’u ruajtur dhe për të mbrojtur veten e vet përballë forcave speciale greke. Nuk ka kërkesë për ekstradim, do bëjmë të gjitha përpjekjet që të hetohet dhe të gjykohet në vendin e vet”, ka deklaruar më herët Lazër Sokoli./Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button