Përçarje dhe zënka në BDI për listën zgjedhore

Debate dhe polemika të ashpra rreth pastrimit të listës zgjedhore janë zhvilluar në mbledhjen që ka mbajtur sekretari i përgjithshëm i BDI-së Abilaqim Ademi me kryetarët e degëve dhe shefat e shtabeve zgjedhore të partisë.

Këtë e ka konfirmuar për Alsat M, anëtari i kryesisë qendrore të BDI-së Rafis Aliti, i cili ka thënë se brenda partisë ka shumë zëra që kundërshtojnë zhvendosjen e votuesve të diasporës në një listë të veçantë dhe shlyerjen e 40 mijë votuesve siç kërkon LSDM-ja.

Aliti thotë se pastrimin e listës zgjedhore duhet ta bëjë ministria e Brendshme, për të mos lejuar që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve t’ua mohojë të drejtën e votës 40 mijë qytetarëve në mungesë të të dhënave personale për ta. Nëse imponohet kërkesa e LSDM-së për pastrimin e listës zgjedhore nga KSHZ-ja, Aliti dhe një pjesë e anëtarësisë së BDI-së ka kërkuar nga përfaqësuesit e kësaj partie që të braktisin Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, madje edhe bisedimet për zgjidhjen e krizës.

Ndonëse çështja e pastrimit të listës zgjedhore në bisedimet mes katër partive politike llogaritet si temë e mbyllur tashmë, Aliti tenton ta problematizojë atë duke thënë se nuk ka informacione se përfaqësuesit e BDI-së në bisedime janë pajtuar me metodologjinë e pastrimit të listës zgjedhore nga ana e KSHZ-së dhe zhvendosjen e votuesve të diasporës në një listë të veçantë.
Por ndryshe nga Rafiz Aliti, zyrtarë të lartë të BDI-së kanë thënë disa herë publikisht se zhvendosja e votuesve të diasporës në listë të veçantë zgjedhore është çështje teknike, e madje janë shprehur të bindur se shqiptarët do të paraqiten për të konfirmuar të drejtën e tyre të votës në thirrjen publike të KSHZ-së për 40 mijë votuesit e kontestuar nga LSDM-ja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button