Zgjerohet deficiti tregtar i Turqisë

Deficiti i tregtisë së jashtme të Turqisë, në vitin 2013, u rrit me 18.7% në krahasim me vitin 2012, duke arritur në 99.8 miliardë dollarë. Instituti i Statistikave Turkstat ka deklaruar se kjo prirje ka ardhur për shkak të rënies së eksporteve.

Në vitin 2013, eksportet ranë në 151.9 miliardë dollarë, duke u tkurrur me 0.4% në krahasim me vitin 2012. Niveli i tyre ka qenë poshtë objektivit të qeverisë, të vendosur nga Programi Afat-mesëm i Turqisë. Importet, nga ana tjetër, u rritën me 6.4% gjatë vitit të kaluar, duke prekur shifrat 251.6 miliardë dollarë.

Në vitin 2012, deficiti i tregtisë së jashtme të Turqisë ka qenë 84.1 miliardë dollarë, por rënia e madhe e eksporteve të arit e ka zgjeruar edhe më shumë atë. Sasia e arit të eksportuar nga Turqia shënoi një rënie vjetore prej 57.3% gjatë vitit 2013 dhe vlera e tij arriti në 7 miliardë dollarë. Në të njëjtën periudhë, importet e arit u rritën me 90%, duke arritur në 16.2 miliardë dollarë.

Instituti i Statistikave tha se eksportet në Dhjetor kanë qenë 4.9% më të larta, në krahasim me muajin e fundit të vitit 2012. Vlera e tyre në këtë hark kohor arriti në 13.2 miliardë, ndërsa importet u rritën në 16.7%, në 23.1 miliardë dollarë. Norma e mbulimit të importeve nga eksportet, në Dhjetorin e vitit të kaluar ka qenë 57.1%, ndërsa në Dhjetor të vitit 2012, ky raport ka qenë 63.6%.

Lajme të ngjashme

Back to top button