GJENIU I KEQKUPTUAR

Faik Konica qe enciklopedi e gjallë, biri më eminent i Shqipërisë, pionieri i pavarësisë, mbrojtësi i indipendencës kombëtare, drejtuesi i revistës ALBANIA – kësaj ensiklopedie, monumenti e akademie të kohës… Por, meqë e thoshte çiltas atë që kishte në mëndie, pa çarë kokën për zuzarët, hyri në tefterin e tradhëtarëve të kombit. Koqja me qelb e Shqipërisë këtë “mëkat” (mendimin dhe fjalën e lirë) nuk ia fali kurrë.

Veprimtaria e tij transparente, shkrimet e serta, lidhjet e afërta me diplomatë të huaj dhe besimi që, në periudha të ndryshme pati tek ata, ia dhanë shumëkujt të drejtën e gjurmimit të gjoja qëndrimit jodinjitoz dhe sharrimit të Konicës në ujëra shërbimesh agjenturore. Shpifësit anashkaluan betejat e tij të mëdha për bërjen e Shqipërisë shtet indipendent dhe manipuluan të painformuarit me copëza të shkëputura shkrimesh, me pjesët mirësjellje të fillim-mbarimeve të letrave dërguar diplomacive me ndikim. Duke qenë qëllimkëqinj, ata nuk mundën të lexojnë mes rreshtash për të dalluar bontonin politik prej qëndrimeve të patundshme atdhetare të Faik Konicës.

Merre nga ta marrësh, tendenca për t’i shndërruar këto raporte në akuza përulëse përtej kufijve të lejueshëm njerëzorë, duhet parë në kontekstin e kohë-hapësirës konkrete, gjithnjë në përqasje me veprimet e atdhetarëve bashkëkohanikë të Konicës, që, në përpjekje të gjetjes së rrugëve fatlume për krijimin e shtetit shqiptar, mund të kenë bërë dhe gabime në rreshtimet e tyre. Naimi e Samiu, ta zëmë, besuan një kohë se shpëtimi i Shqipërisë mund të vijë nga një Turqi e moderuar, Noli i besoi bolshevizmës ruse, Gurakuqi e De Rada i besuan Italisë, kurse Konica, në një moment delikat për Shqipërinë, shpëtimin e pa tek Austro-Hungaria. Lidhjet, miqësitë dhe tifozllëqet në fjalë, gati pa përjashtim, ishin lidhje mes individësh, hiq Nolin që, me sa dihet, as kur pati mundësi të veprojë në dëm të Atdheut, si njeriu i parë i një Qeverie, nuk bëri ndonjë pakt nënçmues e të dëmshëm për Shqipërinë. Të tjerët, ndërkaq, as që kanë mundur të lidhin marrëveshje të dëmshme për kombin, sepse nuk patën kurfarë mandati ta bëjnë këtë. Së këndejmi dalin të shushatura akuzat e nxitura nga inatet e pafisnikëruara shqiptare. Si të sqarohen ndryshe shpifjet për antishqiptarizmin e Konicës, i cili, përveçse në gjuhën shqipe, mbrojti me argumente të palëvizshme çështjen shqiptare edhe në mediet evropiane, luftë kjo që nuk mund të bëhej as me institucione të tëra shtetesh të organizuara mirëfilli? Fundja, nga ka mundur ta dijë Konica se Austria nuk do ta ndihmojë Shqipërinë ashtu siç i premtoi? Dhe, pasi e kuptoi këtë, çfarë mundi të bëjë më shumë se ta ngrinte zërin kundër trukeve të bëra pas shpine dhe në dëm të Mëmëdheut të tij? Nuk duhet harruar as e dhëna se Konica, sado që nuk ishte politikan, nëse nuk i llogaritet këtu ambasadorllëku në SHBA, u detyrua të veprojë si i tillë, sa herë që e donte e mira e Shqipërisë. Po ku ta dinin këtë kritikuesit mediokër, të mësuar t’i servojnë publikut gjykime në gjendje jeshillëku? Si ta kuptonin ata se problemet me të cilat ballafaqohej Shqipëria ishin të natyrës politike dhe për to duhej menduar politikisht? Kush t’ua thoshte të vërtetën se lëngojnë kopeas nga ileti i të kuptuarit të reduktuar të fenomeneve shoqërore e politike, që ndihmoi keqkuptimin më të madh të shekullit XX në kulturën shqiptare? Prandaj, u desh të shembet kalaja bolshevike për të dalë në dritë e vërteta lakuriqe, të cilën studiuesi Aurel Plasari e shpërfaq kësisoj: Përkundrejt turmës së mendjeve të klasit të katërt Faiku nuk mund të ishte veçse i rreptë deri në mizori, mbasi ai ia dinte kufijtë së vërtetës origjinale. Për këtë arsye rrinte syçelët dhe i gatshëm ta braktiste një të vërtetë në çastin kur ajo bëhej e pavërtetë. Kjo më duket të jetë cilësia më e përpashme, aftësia më e rëndësishme e modelit mendor që e quaj ‘konician’. Ta braktisësh të vërtetën…?! Por si ka mundësi…?! Pikërisht këtë aftësi gjeniale të mendjes njerëzore nuk ia kuptuan shumë nga bashkëkohësit dhe, madje, e kemi të vështirë ta rrokim edhe ne, të penguar prej të kuptuarit e reduktuar. Kjo e pengon edhe sot e gjithë ditën shpërfaqjen në dritë të plotë të personalitetit të tij… Kështu ndodh që Faik Konica të vijojë të vuajë, ende sot, ‘të kuptuarit e reduktuar’, sepse ky lloj të kuptuari nuk e përkap dot strukturën logjike të dy qëndrimeve/ dy qëllimeve. Dy qëndrimet/ dy qëllimet mund të jenë kontradiktore mes syresh dhe, megjithëkëtë, të jenë plotësisht të pajtueshme. Është kjo struktura logjike e atyre që quhen dilema të mendimit politik të çdo kohe e të çdo vendi. Zgjidhjen e dilemave të tilla Rousseau-i e quante ‘kthim të rrethit në katror’. Dhe të mos harrohet që Faiku pati qenë lexues i zellshëm i Rousseau-it qysh në të ri…

Po ta marrim esëll veprimtarinë e Faik Konicës, Ai, si në shumë fusha të tjera, edhe në të kuptuarit e drejtë të lojërave politike ishte një shekull para bashkatdhetarëve të tij. I vetmi faj i Faik Konicës, për mendimin tim, është e dhëna se erdhi shumë para kohe në letërsinë dhe kulturën shqiptare, e dhëna se ishte më inteligjenti dhe më largpamësi në mesin e rilindasve të kohës së tij. Faji i tij qe jokonformizmi i dëshmuar me vepër. Dhe, nëse gjërat që bëri ai janë faje, ato assesi nuk mund të jenë më të mëdha, më të dëmshme e më të pamoralshme se hatri i rremë i armatës së konformistëve që aktin e bërjeqejfeve e konceptojnë virtyt kombëtar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button