Rasti “Lagjja e Trimave”, Ndihma e Shpejtë “nuk e anuloi” seancën e sotme

Në Gjykatën Penale në Shkup, sot ka vazhduar diskutimi kryesor i rastit gjyqësor për ngjarjet më 9 dhe 10 maj të vitit të kaluar në “Lagjen e Trimave” të Kumanovës edhe pse avokatët janë ankuar që klientët e tyre nuk janë në gjendje të mirë psikike dhe fizike për ta ndjekur seancën, sipas tyre, si pasojë e malltretimeve psikike dhe fizike nga ana e forcave policore, raporton Portalb.

Gjykata i ka refuzuar kërkesat e tyre, pasi që në gjykatë ka arritur Ndihma e Shpejtë ku dhe, sipas kumtesës së gjykatës, e ka konstatuar se gjashtë të dyshuarit që janë ankuar për probleme shëndetësore janë në gjendje që ta ndjekin seancën.

“Pas kontrollit të mjekut të ndihmës së shpejtë, deri te gjykata kanë dorëzuar raport, sipas të cilit, tre nga të akuzuarit që janë ankuar në probleme shëndetësore përpara mjekut kanë treguar se nuk anë nevojë për asnjëfarë lloj terapie dhe ndihme, ndërkaq tre të tjerët janë ankuar se kanë dhimbje në shpinë, që më pas u është dhënë terapi dhe është konstatuar se t ë gjithë gjashtë të akuzuarit nuk kanë kurrfarë probleme të jashtme shëndetësore që mund të shihen dhe për momentin janë në gjendje ta ndjekin gjykimin. Pas marrjes së raportit, gjykata ka konstatuar se nuk ekzistojnë arsye që seanca të shtyhet dhe për këtë arsye me vendim të gjykatës ka vazhduar seanca në të cilën janë marrë në pyetje dëshmitarë të mbrojtur, ashtu siç ka qenë e planifikuar, e njëjta ka qenë e mbyllur për publikun”, qëndron në kumtesën e Gjykatës Penale, transmeton Portalb.

Nga atje shtojnë se pa hyrë në arsyet për kërkesën e mbrojtjes që të shtyhet seanca e sotme, qëndrimi i gjykatës është se “çfarëdo lloj anulimi të procedurës nuk është në dobi të asnjërës palë në rast”.

Paraprakisht, avokati Mefail Asllani në një deklaratë për Portalb tha se “Grupi i Kumanovës”, nuk është në gjendje të mirë psikike pasi që ka qenë i malltretuar nga policia.

“Nuk janë në gjendje as fizikisht as psiqikisht që të prezantojnë në seancë “Grupi i Kumanovës”, siç dihet për shkak të malltretimeve që u janë bërë”, tha për Portalb, avokati  Asllani.

Rikujtojmë se ende asnjë polic nga njësiti special nuk ka marrë padi penale për torturën ndaj të akuzuarve në rastin “Kumanova”, edhe pse avokatët mbrojtës, por edhe Avokati i Popullit kanë reaguar dhe kanë kërkuar që të jepet përgjegjësi për dhunën që ushtrohet ndaj të paraburgosurve, gjatë transportimit të tyre nga burgjet në Gjykatë dhe anasjelltas.

Ka muaj që askush nga kompetentët nuk e merr përgjegjësinë për dhunën e ushtruar duke përdorur deklarata shqetësuese në vend të akteve konkrete.

Njëri prej avokatëve mbrojtës Naser Raufi në deklaratën për Portalb vërteton se ende nuk ka aktakuze.

“Presim aktakuzën. Kemi informatë që Prokuroria punon”, tha ai.

“Çdo herë i torturojnë. S’ka pas rast që i kanë sjellë në gjykatë e të mos kish qenë dikush i torturuar. Edhe do të ketë raste të tilla, nëse s’ka dënim për torturuesit. Deri tash është dashur të kryhet kjo punë, e jo ne të presim aktakuzën”, deklaroi Raufi.

Ai siguron se nëse prolongohet më tutje kjo çështje do të reagojnë edhe te Këshilli i Prokurorisë.

Çfarë thonë institucionet kompetente?

“Kemi reaguar për dhunën ndaj të paraburgosurve në rastin “Kumanova”. Kemi kërkuar llogari nga drejtoria e burgjeve në rast se gardianët janë të përfshirë në dhunimin e të paraburgosurve, kemi kërkuar llogari prej Ministrisë për Punë të Brendshme pjesëtarë të njësiteve special i malltretojnë të paraburgosurit dhe kemi dërguar shkresë te Kryqi i Kuq dhe Avokati i Popullit. Respektivisht, nëse Avokati i Popullit ka konstatime për keqpërdorime të na i dërgojë ato dhe Kryqi i Kuq të bëjë vizitë te të paraburgosurit që të marrë nga afër informata dhe të dhëna të sakta, edhe në aspekti mjeko-ligjor nëse këto të paraburgosur janë të keqtrajtuar”, tha për Portalb ministri i Drejtësisë, Valdet Xhaferi.

Xhaferi thotë se prej MPB-së ende nuk ka përgjigje. Ndërkaq, sipas tij, nga drejtoria e burgjeve u kanë thënë se gardianët e burgjeve nuk janë të përfshirë në torturën e të paraburgosurve.

Drejtoria e burgjeve ishte e pakapshme për prononcim nga Portalb.mk.

Nga ana tjetër, Agim Nuhiu, zv/ministër i Punëve të Brendshme siguron se kanë kërkuar zgjidhje sistemore, në aspektin teknik, për të bërë sigurimin e provave se kush i malltreton të akuzuarit.

“Gardianët e burgut përkujdesen dhe udhëheqin me ta. MPB nuk i ka në kompetencë burgjet. Policia bën sigurimin e transportit të tyre nga burgu deri në gjykatë dhe anasjelltas. Do të ndëshkohen ata policë që veprojnë jashtë standardeve profesionale”, deklaroi për Portalb, Nuhiu.

Por ai nuk tregoi se KUR dhe SI do të ndëshkohen policët?! /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button