Ukrainë, opozita thirrje për ndihmë

Opozita ukrainase i bëri thirrje vendeve perëndimore që të shtojnë përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje të krizës politike në vend.

Njëri prej udhëheqësve opozitarë, Arseniy Yatsenyuk tha se ajo që i nevojitet Ukrainës është një “plan Marshall dhe jo një ligj ushtarak”. Yatsenyuk, së bashku me kreun tjetër opozitar, ish-kampionin e botës në boks, Vitaly Klitschko ndodhet në Mynih ku janë takuar me diplomatë ndërkombëtarë në prag të Konferencës së Sigurisë.

Të shtunën pret një takim mes tij dhe Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry.

Ukraina përballet me trazira që prej muajit nëntor, kur presidenti i vendit, Viktor Yanukovich refuzoi firmosjen e tregtisë së lirë me Bashkimin Europian. Opozita fajësoi për këtë presionin rus, që detyroi Yanukovich pak ditë më vonë të firmoste një sërë marrëveshjes ekonomike me Kremlinin.

Protestuesat nisën në Kiev. Sheshi i Pavarësisë u shndërrua në një kamp të manifestuesve, ndërsa disa herë ata kanë pushtuar godinat qeveritare. Në janar, qeveria propozoi një ligj anti-protesta i kritikuar nga ndërkombëtarët si shkelje flagrante e të drejtave të njeriut.

Propozimi i qeverisë acaroi më shumë situatën. Protestat u shtrinë edhe në qytetet e tjera të vendit. E venë përballë një presioni të tillë, qeveria e kryeministrit Azarov dha dorëheqjen. Por as ky hap nuk uli valën e protestave. Protestuesit kërkojnë ‘kokën’ e Yanukovich, ndërsa opozita bën thirrje për zgjedhje të parakohëshme.

Të paktën 8 persona mendohet se kanë humbur jetën nga përleshjet mes protestuesve dhe forcave të sigurisë. Këto të fundit janë vënë në qendër të kritikave për torturë, ku nuk i kanë shpëtuar as emra të njohur opozitarë, gazetarë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut. 

Lajme të ngjashme

Back to top button