Shkup, gazetarët kërkojnë përfshirje në bisedimet për reformat në media

Përfaqësuesit e katër partive kryesore politike, nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës, gjatë ditës së mërkurë, janë takuar në përpjekje për të tejkaluar mospajtimet rreth zgjidhjes së krizës politike në Maqedoni, njofton REL.

Tema të bisedave ndërpartiake në këtë fazë janë reforma në media dhe pastrimi i regjistrit zgjedhor, por asnjëri nga përfaqësuesit e partive politike të përfshira në bisedime, nuk dha hollësi për zgjidhjet e ofruara për reformat në media.

Ndërkohë, kryetari i Shoqatës së Gazetarëve në Maqedoni, Naser Selmani për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se pa përfshirjen e gazetarëve në bisedimet që kanë të bëjnë me reformat në media, çdo zgjidhje për të cilën do të arrijnë ujdi drejtuesit politik nuk do të jetë në favor të përmirësimit të lirisë së shtypit.

“Fakti se partitë politike nuk janë të interesuara që të përfshijnë përfaqësuesit e gazetarëve dhe mediave në bisedimet në të cilat vendoset për fatin e tyre, është tregues i qartë se ata nuk janë të interesuara që të gjendet një zgjidhje serioze, serioze, e qëndrueshme. Për ne janë të papranueshme zgjidhjet gjysmake për punën e mediave”, thotë Selmani.

Ideja e cila diskutohet në tryezën e bisedimeve mes katër partive politike e që ka të bëjë me formimin e një trupi rregullator me mandat tre mujor që do të monitorojë mediat gjatë procesit zgjedhor, për Selmanin është tërësisht e papranueshme.

“Zgjidhjet gjysmake janë të destinuara të dështojnë. Ne si Shoqatë e Gazetarëve të Maqedonisë pa asnjë hamendje refuzuam zgjidhjet jo sistemore, që nuk sjellin asgjë për të përmirësuar gjendjen e mediave, për të përmirësuar lirinë e të shprehurit në Maqedoni, dhe kuptohet raportimin e medieve gjatë fushatave zgjedhore”, thotë Naser Selmani.

Dragan Gocevski nga Fakulteti Juridik në Shkup konsideron se mosbesimi ndaj institucioneve aktuale ka bërë që të kërkohet zgjidhje përmes krijimit të institucioneve paralele, siç është trupi rregullator, i cili do të duhet të monitorojë punën e mediave gjatë procesit zgjedhor kundrejt organit ekzistues me të njëjtën detyrë siç është Agjencioni i Mediave.

“Institucionet ekzistuese kanë humbur besueshmërinë tek qytetarët. Opozita, por edhe një pjesë e madhe e ekspertëve vlerësojnë se institucionet mbahen peng nga politika andaj insistohet zgjidhje përmes krijimit të institucioneve paralele” vlerëson Gocevski.

Çështja e mediave ishte një nga pikat kryesore të cilën e opozita maqedonase e shfrytëzoi si argument për anulimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të caktuara në prill përkatësisht qershor të këtij viti.

Burime nga partitë politike, të përfshira në bisedime, për Radion Evropa e Lirë thonë se nëse arrihet ujdi për reformimin e mediave dhe pastrimin e regjistrit zgjedhor, zgjedhjet mund të caktohen për javën e fundit të nëntorit të këtij viti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button