Ibrahimi: Muzeu i Lirisë një shtëpi private e BDI-së!

Në programin e Ministrisë së Kulturës në Maqedoni, haptas vërehet diskriminim i projekteve shqiptare të cilat kanë marrë një pjesë shumë të vogël të mjeteve financiare që ndan kjo ministri.

Nga radhët e PDSH-së, Orhan Ibrahimi vlerëson se ky institucion diskriminon shqiptarët dhe nuk financon muzeun e vetëm shqiptarë në Shkup, Muzeun e Lirisë.

“Nga prezantimi i programit të Ministrisë së Kulturës ju mund të shihni se asnjë mjet nuk është nda për Muzeun e Lirisë. Normal se nuk do të ndahen pasi që ky muze as nuk figuron si i tillë”, tha për Portalb, Ibrahimi.

Ai shtoi se ky objekt është thjesht një shtëpi private e cila me vullnet të lirë është shndërruar në një muze.

Nga ana tjetër drejtori i këtij muzeu, Baki Halimi bën të ditur se nga Ministria nuk mund të ndahet asgjë ngase ky institucion është në nivel lokal dhe jo republikan.

“Nuk kemi konkurruar me asnjë projekt shkaku se ne jemi muze lokal dhe jo republikan. Ne financohemi direkt nga komuna dhe kjo nga Ministria e Kulturës”, thapër Portalb, Halimi.

Sa i përket shndërrimit të këtij muzeu nga lokal në republikan, Halmi shtoi se për momentin nuk ka disponim që të bëhet ky ndryshim.

Ndërkaq deputeti Behixhudin Shehapi nga radhët e BDI-së, sqaron se ky muze në kuadër të ligjit për kulturë është nën kujdesin e komunës së Çairit.

“Muzeu i Lirisë është nën kujdesin e komunës Çair e cila ndan mjete nga buxheti varësish kërkesës për financim të këtij institucioni. Në Maqedoni ka mjaft muze që janë në nivel lokal dhe sa i përket dokumentacionit, ai i përmban të gjitha të drejtat ligjore për të funksionuar si i tillë”, tha për Portalb, Shehapi.

Kurse Ibrahimi shton se për momentin nuk investohet fare në këtë muze dhe se në të ka vetëm artefakte dhe në këtë gjendje ai nuk i ngjan një muzeu. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button