Nexhipi: “Shkëndijë falënderit për gjithçka”

Të nderuar tifozë të KF Shkëndija. Të nderuar ‘Ballistë’. Të nderuar bashkëlojtarë, anëtarë të stafit teknik, ekipi mjekësor dhe ekonoma. Më lejoni që t’ju shpreh mirënjohjen dhe falënderimin më të sinqertë për çdo sekondë të kaluar së bashku. Do kisha dashur që secilin prej juve të përshëndes personalisht, për tu shikuar edhe një herë në sy dhe për të parë ndoshta secili prej juve sinqeritetin tim.

Më vjen keq për këtë ndarje, e dyta për mua me Shkëndijën. Secili keni të drejtë të keni mendimin tuaj, por unë kërkoj vetëm pak respekt për këtë situatë të krijuar. Unë më shumë se çdo kush tjetër i dhashë vetes detyrën që këtë sezon të jap edhe atomin e fundit nga vetja ime, për të arritur suksese kulmore dhe për të nxjerrë Shkëndijën në Evropë. Më mbetet peng i madh që me këtë skuadër nuk arrita të fitoj një trofe, pasi aq shumë e doja.

Arsyet e ndarjes time me Shkëndijën vërtet janë të karakterit privat dhe do ju kisha lutur që secili të kuptojë këtë situatë. Çka do që të ndodhë, unë asnjëherë nuk do ju harroj juve të gjithëve që e ndjeni veten tifozë të klubit ‘kuqezi’. Faleminderit për përkrahjen e vazhdueshme dhe për dashurinë që më keni dhënë.

Këtë gjithmonë do e mbaj në zemrën time gjatë gjithë jetës. Ndonjëherë duhet të merren hapa të këtillë, përkundër vullnetit dhe dëshirës. Por ajo që mbetet është miqësia dhe dashuria e sinqertë. Edhe një herë faleminderit për gjithçka. 
Nderim Nexhipi

Lajme të ngjashme

Back to top button