Si funksionon tregu i vrasjeve me pagesë dhe gjobëvenies në Shqipëri

Ekzekutimet mafioze të ndodhura në Shqipëri vitet e fundit duket se do të rihapen edhe njëherë nga drejtësia, për të parë nëse “vrasësit me pagesë” të arrestuar ditët e fundit kanë lidhje në këto ngjarje.

Me dhjetëra vrasje seriale kanë ndodhur në qytetet kryesore në vend, ndërsa nuk kanë asnjë autor. Tashmë lind një shpresë e vogël për zbardhjen e tyre, ndonëse ish-krerët e Policisë së Shtetit pohojnë se të arrestuarit e fundit kanë qenë nën vëzhgim edhe më parë, pra para shtatorit 2013. Madje, në atë kohë, ka pasur informacione edhe për “tregun” e vrasjeve me pagesë, të cilat vitet e fundit u kthyen në një “biznes” që lulëzoi, për shkak të shumave të parave që qarkullonin.

Megjithëse burimet nuk janë zyrtare, gazeta po publikon disa informacione që kanë qenë në drejtoritë e policisë në qarqe për shumë kohë. Mësohet se për një ekzekutim, “makinat vrasëse” kërkojnë nga 50-100 mijë euro për porosinë. Çmimi për vrasjen varion në sajë të rëndësisë që ka personi për të cilën bëhet fjalë. Krerët dhe ish-krerët e policisë kanë pasur të dhëna se grupi i Julian Sinanajt nuk është i vetmi që operonte në “tregun” e ekzekutimeve. Besohet se policia ka identifikuar emrat e tre të tjerëve, por nuk ka prova që t’i identifikojë. “Njëri prej vrasësve me pagesë është nga Kamza, një tjetër është nga Vlora dhe personi i tretë është nga Burreli. Këta nuk kanë lidhje me Julian Sinanajn, por veprojnë secili më vete. Madje, i dyshuari nga Kamza është arrestuar nga Policia e Tiranës para disa muajsh, por është liruar, sepse hetuesit nuk ka qenë në gjendje që të mbledhin informacione të tjera. Ish-drejtuesit e lartë të policisë, pohojnë se Julian Sinanaj dyshohet se ka pasur persona me pushtet të madh pas vetes, të cilët e përdornin për “punët e pista”. Ndërkaq besohet se Sinanaj ka qenë pjesë e një bande shumë të fuqishme kriminale në Shqipëri, e cila e urdhëronte që të kryente ekzekutime sa herë që lindte nevoja.

Porositësit

Viktimat e vrasësve me pagesë janë kryesisht persona me pushtet politik dhe ekonomik. Sipas policisë, biznesmenët e fuqishëm janë ata që kanë edhe konfliktet më të mëdha me rivalët. Konkurrenca e pandershme, është edhe ajo që stimulon vrasjet me pagesë. Mekanizmi i ngjarjes nga porositësi deri te vrasja, është mjaft e thjeshtë, ndërsa policia ka ngritur me kohë edhe skemën. Firma rivale rrezikon që të sjellë falimentimin e një tjetre firme. Për të mbijetuar në treg, administratorët e firmës, në disa raste kërkojnë që t’i lirohet rruga në fushën e biznesit. Një gjë e tillë bëhet vetëm nëse pronari apo administratorët e firmës tjetër, gjejnë vdekjen. Dhe këtu lind nevoja për vrasës me pagesë, duke e paguar sipas çmimit që kërkon “punëmarrësi”. Porositësi i jep të gjithë informacionin paraprak vrasësit dhe ky i fundit nis procedurën. Vrasësi e ndjek prenë e tij, e fotografin, mbledh të dhëna për përbërjen familjare, banesën, biznesin dhe personat me të cilët frekuentohet. E gjitha kjo bëhet që puna të kryhet deri në fund, ose nëse kanë konflikt interesi ai nuk e merr përsipër një gjë të tillë. Vrasje të tilla kryhen në të shumtën e rasteve pranë banesave të viktimave, kur këta të fundit janë të vetëm. Kjo bëhet për të shmangur dëshmitarët. Gjithashtu ngjarjet ndodhin në orët e vona të natës, në mënyrë që të autori të ketë mundësi për të lëvizur sa më shpejt. Në raste të tilla, paratë merren para ekzekutimit.

Tri mënyrat e gjobëvënies

Vrasjet me pagesë nuk rezultojnë që të jenë e vetmja mënyrë përfitimi për bandat kriminale. Gjobëvënia është mënyra më shumë e përhapur. Edhe për këto raste, policia ka ngritur një skemë. Në të shumtën e rasteve, gjobëvënësit veprojnë në grupe. Një nga gjobëvëniet është ajo me anë të fajdeve. Krimineli i afrohet këtij të fundit, duke i thënë se ka një shumë të konsiderueshme parash dhe kërkon që t’i investojë, duke i dhënë me fajde. Për shembull, fajdexhiu i jep rreth 100 mijë euro biznesmenit, në mënyrë që ai t’i fusë në punë. Shuma të larta joshin biznesmenët dhe pranojnë që të bëjnë marrëveshje me gjobëvënësit. Marrëveshja është që ai duhet t’i kthejë fajdexhiut rreth 130 mijë euro, në një hark kohor prej një ose dy vjetësh. Kontratat nënshkruhen te noteri, në mënyrë që të mashtrohet biznesmeni. Pasi nënshkruhet gjithçka, gjobëvënësi kontakton me prenë e tij pas dy javësh, duke i thënë se i duhen paratë së bashku me fajde. Një gjë të tillë e bëjnë në mënyrë të përsëritshme, sa herë që ata piketojnë tregtarët e fuqishëm. Në të kundërt ai e kërcënon me jetë. Mënyra e dytë është me anë të paralajmërimeve. Autorët e krimit shkojnë dhe i vendosin tritol objektit që biznesmeni ka në pronësi. Disa ditë më vonë ata e kontaktojnë, duke i thënë se i njohin personat që e kanë vendosur atentatin dhe për ta mbrojtur i kërkojnë para. Metoda e fundit është edhe më e frikshme, ata kontaktojnë direkt me biznesmenin, duke i kërkuar në mënyrë të drejtpërdrejtë paratë. Nëse biznesmeni nuk pranon, atëherë ai kërcënohet me jetë së bashku me familjen. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button