fbpx

Administrata përtej parave të Evropës

Niveli i ulët i shfrytëzimit të fondeve IPA në Maqedoni edhe një herë u alarmua nga Ambasadori i BE-së në Shkup Aivo Orav. Ky konstatim është vërtetuar edhe nga studimet e ndryshme të instituteve në vend, siç ishte rasti gjatë promovimit të studimit “Shfrytëzimi i fondeve të BE-së: Efikasiteti, ndikimi dhe kapaciteti absorbues” i cili u realizua nga Instituti për politikë evropiane (EPI) në Shkup në nëntor të vitit 2013. Fondet IPA janë të rëndësisë së jashtëzakonshme sepse përveç faktit që ndihmojnë në përafrimin e vendit me BE-në ata përgatisin administratën për Fondet strukturore dhe të kohezionit të BE-së, fonde të cilat për nga shuma tejkalojnë fondet IPA.
Shfrytëzimi i fondeve IPA sot, dhe fondeve strukturore nesër (kur të jemi pjesë e BE) kërkon përgatitje të jashtëzakonshme të administratës në menaxhimin e procesit që nga përpilimi, aplikimi, financimi, realizimi dhe raportimit mbi projektet e realizuara nga këto fonde i gjithë ky proces realizohet në kuadër të afateve tejet strikte. Prandaj, shfrytëzimi i fondeve IPA është një indikator se sa është përgatitur administrata për shfrytëzimin e fondeve strukturore të BE-së.

Sipas praktikës, shfrytëzimi i fondeve të BE-së ndikohet nga kapaciteti absorbues makro-ekonomik, financiar dhe administrativ-institucional. Vendet kandidate për anëtarësim në BE kanë pengesë në thithjen e këtyre fondeve për shkak të kapacitetit të ulët administrativ-institucional, andaj, kapaciteti administrativ-institucional ngel thelbësori në shfrytëzimin e këtyre fondeve. Ajo që vërehet nga studimi i përmendur, është se në Maqedoni ekziston një diskrepancë institucionale (nga anglishtja institutional gap). Në njërën anë, vendi ka një administratë nga më të mëdhatë në regjion, ndërsa nga ana tjetër, shumë sektorë relevante për fondet IPA kanë ose mungesë të stafit ose posedojnë staf jo adekuatë. 

Megjithatë, rëndësia e administratës nuk duhet parë vetëm në aspekt të integrimit në BE si qëllim parësor ose orientim strategjik i vendit, por edhe në kontekst më të përgjithshëm. Administrata efikase dhe efektive përmirëson jetën e qytetarëve, jo vetëm në aspekt të dhënies së shërbimeve publike por edhe në aspekt të krijimit të politikave në lëmi të ndryshme. Ministritë gjatë krijimit të politikave në kuadër të kompetencave ligjore, mbështeten në kapacitetet administrative të institucioneve që drejtojnë. Andaj, cilësia e politikave varet në masë të madhe nga cilësia e administratës, e cila mund arrihet vetëm me staf adekuat dhe të sistemuar në vendet e duhura. 

Në Maqedoni, gjykoj se sistemi institucional i administratës rrezikohet në të gjitha fazat e ndërtimit të kapaciteteve të tyre. Fillimisht nga faza e punësimit të nëpunësve shtetëror. Mos-pasja e sistemit të mirëfilltë për vlerësimin e kandidatëve dhe afërsia e tepërt e politikës/partisë në fazën e punësimit (më së shumti kjo e dyta) ndikojnë negativisht në selektimin e kuadrove cilësore dhe kompetentë. Vonesa e sistematizimit  të nëpunësve të rinj nëpër institucionet ndikon në atë diskrepancën institucionale. 
Më tragjikja, edhe kur ndodh sistematizimi (i vonuar) i nëpunësve nuk bëhet kujdes me vendosjen e stafit të duhur në vendet e duhura. Mungesa e meritokracisë po ashtu ndikon në efikasitetin dhe efektivitetin e institucioneve në realizimin e kompetencave ligjore. Sipas dispozitave pozitive, të cilat cilësohen si tepër rigide, avancimi i nëpunësve është shumë i ngadalshëm dhe tejet selektiv (avancohen vetëm njerëzit e afërt ndaj udhëheqësve institucional). Ky fakt ndikon negativisht te nëpunësit që kanë mbështetje të udhëheqësisë, të cilët janë më nonshalantë ndaj obligimeve, ndërsa mos-pasja perspektivë profesionale demotivon të inkuadruarit në proces (detyrohen të presin kohë më të mira për avancim). 

Më tutje, mungesa e trajnimeve të nevojshme për ngritje profesionale ndikon që nëpunësit mos jenë në rrjedha me zhvillimet më të fundit në sferat e tyre. Për momentin vetëm trajnimet që organizohen nga donatorë të huaj janë të disponueshme për nëpunësit. Kuadri cilësor i shkolluar në vendet e BE-së nuk shfrytëzohet ose largohen për shkak të preferencave politiko-partiake. Të gjithë këta faktorë, ndikojnë në demotivimin e nëpunësve, të cilët për detyrë kanë të lehtësojnë jetën e qytetarit pa marrë parasysh pozitën dhe kapacitetin në të cilin veprojnë. Po ashtu kjo situatë demotivon edhe të diplomuarit e rinj të cilët nga mungesa e perspektivës profesionale dhe të karrierës kërkojnë shteg jashtë vendit, në shtetet ku vlerësohet cilësia, ku ofrohen rrethana konkurruese për punësim dhe ngritje në profesion.

Vendet anëtare dhe ekspertët nga BE, si faktor kryesor të integrimeve nënvizojnë vullnetin politik të lidershipit të vendeve kandidate. Reformat në administratë, po ashtu e kërkojnë këtë vullnet politik, i cili do të tejkalojë kalkulimet partiako politike dhe do ketë për bazë perspektiven afatgjatë të institucionit dhe vendit. Nuk e kontestoj kriterin e besueshmërisë të stafit kryesorë të udhëheqësisë, mirëpo besueshmëria s’duhet të jetë kriter i vetëm. Të përzgjedhurit duhet të plotësojnë kriteret e domosdoshme profesionale, sepse stafi cilësor jep kontribut pozitiv edhe për udhëheqësinë edhe për institucionin, dhe rrjedhimisht beneficione janë të dyanshme. Në kontekst më të gjërë, nëpunësit duhet të avancojnë procesin e integrimeve në BE dhe NATO, duhet të gjejnë format më të mira për zhvillim ekonomik, praktikat më të mira të BE-së për mbrojtjen e mjedisit, etj, etj.

Mirëpo nëse situata aktuale vazhdon, nëse nuk ekziston vullneti (politik) për përmirësimin e gjendjes, procesi integrues do të ngadalësohet edhe në aspekt teknik, kuptohet, nëse pretendimet për bllokimin “politik” të procesit integrues janë të sakta!

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button