Dhuna policore dhe sulmet e armatosura kundër policisë në SHBA

Teksa SHBA-ja përpiqet të tejkalojë tronditjen e vrasjes nga policia të dy afro-amerikanëve javën e kaluar dhe më pas sulmin e armatosur në Dallas ku si pasojë humbën jetën 5 policë, theksohet se që nga fillimi i vitit e deri tani numri i personave të vrarë nga policia ka arritur në 126, ndërsa numri i policëve të vrarë gjatë detyrës ka arritur në 26, raporton Anadolu Agency (AA)

Debatet për përdorimin e dhunës nga policia kryesisht kundrejt afro-amerikanëve në SHBA janë rikthyer përsëri në rendin e ditës pas vrasjes javën e kaluar të Alton Sterling në Louisiana dhe të Philando Castile në Minnesota.

Për dhunën policore është protestuar në të gjithë vendin, kryesisht në Washington, New York, Atlanta, Chicago, ndërsa në Dallas protestat kanë përfunduar të përgjakura.

Ditën e enjte Micah Xavier Johnson i cili më parë ka qenë me detyrë në ushtri gjatë protestave hapi zjarr ndaj policisë, ku në ngjarje humbën jetën 5 policë dhe u plagosën 7 persona të tjerë.

Ngjarja në Dallas, nuk ishte ngjarja e parë e ndodhur brenda vitit, ku brenda kësaj kohe në rajone të ndryshme të SHBA-së kanë ndodhur shumë ngjarje ku edhe afro-amerikanët janë vrarë nga policia, por edhe policët janë vrarë gjatë detyrës së tyre.

– Që nga fillimi i 2016-ës janë vrarë 126 afro-amerikanë

Sipas të dhënave të gazetës Washington Post, që nga 1 janar 2015 e deri tani, nga policët në detyrë janë qëlluar për vdekje 1.502 persona, nga të cilët 732 prej tyre të bardhë, 381 afro-amerikanë dhe 382 të tjerë nga raca të tjera. Ndërsa që nga fillimi i 2016-ës e deri tani policia amerikane ka vrarë 515 persona nga të cilët 126 janë afro-amerikanë.

Të bardhët në Amerikë përbëjnë 62 përqind të popullatës dhe përqindja e të bardhëve të vrarë nga policia është 49 përqind. Ndërsa afro-amerikanët përbëjnë vetëm 13 përqind të popullsisë ku numri i personave të vrarë nga policia është përllogaritur të jetë 24 përqind. Këto shifra tregojnë se vrasja e afro-amerikanëve nga policia është 2.5 herë më e lartë se ajo e të bardhëve.

Në muajin janar në vend nga policia janë vrarë 16 persona me ngjyrë, ndërsa në muajin shkurt 25, në mars 19, në prill 21, në maj 18, në qershor 23, ndërsa në muajin korrik krahas Sterling dhe Castile kanë humbur jetën duke u qëlluar nga policia edhe dy qytetarë të tjerë afro-amerikanë.

Ndërsa sipas të dhënave të organizatës civile “Të Vrarët nga Policia” e cila lufton kundër dhunës policore theksohet se në vitin 2015 nga 1.207 të vrarët nga policia 328 prej tyre janë me prejardhje afrikano-amerikane.

– 26 policë janë vrarë me armë në krye të detyrës

Sipas të dhënave të institucionit “Libri i Kujtimeve të Policëve Heronj” që mban regjistrin e policëve që humbin jetën në krye të detyrës theksohet se deri tani për vitin 2016 kanë humbur jetën në krye të detyrës 59 policë.

Sipas kësaj në muajin janar në krye të detyrës kanë humbur jetën 5 policë, në muajin shkurt 10, në mars 16, në prill 2, në maj 7, në qershor 11 dhe në muajin korrik bashkë me 5 policët e vrarë në Dallas kanë humbur jetën 8 policë.

Sipas të dhënave të institucionit nga këto policë 26 prej tyre janë vrarë duke u qëlluar me armë, ndërsa të tjerët kanë humbur jetën në ngjarje të ndryshme si në aksidente gjatë ndjekjeve të automjeteve apo pasi janë përplasur nga automjetet.

Ndërsa për vitin 2015 të dhënat e institucionit kanë treguar se numri i policëve që kanë humbur jetën gjatë detyrës është 130.

Sulmi në Dallas ku humbën jetën pesë policë është shënuar si ngjarja ku përnjëherësh kanë humbur jetën më shumë policë pas sulmit të 11 shtatorit në vitin 2001.

Ndërsa sipas të dhënave të Fondit Përkujtimor Kombëtar të Punonjësve të Policisë theksohet se në sulmin e kryer me avionë ndaj kullave binjake në New York kanë humbur jetën 72 policë. Gjithashtu vrasja e 4 policëve të ulur në një kafene në vitin 2009 në Washington dhe vrasja e 4 policëve në të njëjtin vit në muajin mars në Oakland të California-s janë treguar si aktet më gjakatare kundrejt policisë.

Në rajonin Ferguson në vitin 2014 vrasja me armë e afro-amerikanit Michael Brown nga polici Darren Wilson pavarësisht se ai ishte dorëzuar duke ngritur duart lart risolli edhe njëherë në rendin botëror të ditës dhunën policore në SHBA. Gjithashtu edhe ngjarja vitin e kaluar në Baltimore të Marylandit ku 25 vjeçari Freddie Gray i cili u plagos gjatë ndalimit të policisë dhe i cili më pas humbi jetën në spital shkaktoi protesta të shumta të cilat vazhduan për disa ditë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button