PDSH: Duam zgjedhje të parakohshme, ti tejkalojmë problemet reale

PDSH-ja do të përkrahë çfarëdo iniciative për zgjedhje të parakohshme parlamentare që do të mbërrijë në Kuvend, por për arsye të ndryshme nga ato të BDI-së dhe VMRO-së.

Koordinatori i grupit parlamentar të PDSH-së Imer Aliu vlerësoi se kandidati konsensual është shpërqendrim i opinionit nga problemet reale të qytetarëve shqiptarë.

“Partia Demokratike Shqiptare vlerëson se kjo është edhe një lojë tjetër, një konflikt virtual, ndërmjet partnerëve të koalicionit dhe një shërbim që BDI përsëri po ja bën VMRO-së. 
BDI-së dhe Ali Ahmetit gjithçka që i intereson është pushteti dhe assesi zgjidhja e problemeve të shqiptarëve”, deklaroi Imer Aliu. 

Aliu në press konferencë tha se “Ali Ahmeti dhe BDI po e bëjnë problem gjetjen e një maqedonasi për president të shtetit, kryeministri Nikola Gruevski promovon dhjetëra dhe qindra projekte me vlerë qindra miliona euro, ekskluzivisht gjitha në hapësirat me shumicë maqedonase, pra në vendbanimet maqedonase”. 

“Ajo që BDI duhet të bëjë është që të del nga qeveria, kjo është mekanizmi i vetëm i cili u ngel atyre me qëllim që të shpëtojnë diçka nga ajo që mund të shpëtohet, pas një qeverisje 6 vjeçare në dëm të shqiptarëve”, tha Aliu.

Lajme të ngjashme

Back to top button