Hetimi për rastin e Kërpaç pas 3 muajve nga “intensiv” kaloi në “aktiv”

Prokuroria e Shkupit pas thuajse tre muajve ende “vepron në mënyrë aktive” gjegjësisht zhvillon procedurë para- hetimore për rastin e Kosta Kërpaç i cili më 27 prill të këtij viti u gjet i vdekur në banesën e tij në Kapishtec me plagë në gjoks.

Prokuroria më 2 qershor njoftoi se hetimi i deritanishëm ka treguar se Kërpaç është vetëvrarë, por se procedura për lëndën vazhdon edhe më tej që të konfirmohen arsyet dhe rrethanat e vdekjes.

Në pyetjen e “Meta” nëse është përfunduar procedura para- hetimore, deri kur është afati për përfundimin e saj dhe nëse ka momente të reja, që i dërguam sot, nga Prokuroria u përgjigjën se i kanë marrë pjesën më të madhe të të dhënave dhe ekspertizës, por se presin “një pjesë të vogël prej tyre”.

“Ju njoftojmë se në lëndën Prokuroria publike themelore kompetente –Shkup vepron në mënyrë aktive. Ka arritur pjesa më e madhe e informacioneve nga ekspertiza, por pritet edhe një pjesë e vogël. Më pas vijon analizë gjithëpërfshirëse, pas të cilës do të kemi vendim për veprim të mëtutjeshëm” thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Më 17 maj, dhjetëra ditë pas vdekjes së Kërpaç, nga Prokuroria për “Meta” tha se po punojnë në mënyrë intensive lidhur me lëndën dhe se ka arritur pjesa më e madhe e ekspertizës.

Kosta Kërpaç ishte njëri nga 56 personat që u falën nga presidenti Gjorgje Ivanov më 12 prill të këtij viti.

Trupi i tij u gjet më 27 prill, disa orë pasi ka qëlluar me armë nga ballkoni i tij në drejtim të një furgoni të parkuar rreth 50 metra larg ndërtesës së tij.

Siç njoftoi PSP, një ditë pas ngjarjes, ai ka qenë dëshmitarë në një prej procedurave para- hetimore që i ka zhvilluar Specialja, por jo edhe i dyshuar. Prokurorja dhe zëdhënësja e PSP, Lençe Ristoska në konferencën për shtyp më 3 qershor, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, tha se posedojnë deklaratë nga Kërpaç ku ai paralajmëron për kërcënimet që i ka pranuar.

PSP gjithashtu kërkoi nga presidenti Ivanov të tregoj prej nga I ka marrë të dhënat për hetimet e tyre sekrete dhe personat që u gjetën në listën e të falurve, në mesin e të cilëve ishte edhe Kosta Kërpaç.

“Nga kabineti i presidenti të z. Ivanov ende nuk kemi përgjigje” u përgjigjën sot nga kabineti Katica Janevës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button