Filan profesorë, kurrqysh universitete

Në ferr, vendet më përvëluese i rezervohen atyre që kanë qëndrim neutral gjatë krizave të thella morale (Xhon Kenedi). 

Në tunelin e thellë të korrupsionit mendor dhe shpirtëror, protesta e Lëvizjes studentore “Studim Kritikë Veprim” në Prishtinë, spikatet si një ndriçim i fuqishëm. Kjo për arsyen e thjeshtë se në pafundësinë e akademikëve injorantë dhe universiteteve-shtypshkronja, mungon veçoria themelore me të cilën duhet të dallohet sfera universitare – guximi për mendim kritik, që natyrshëm qëndron në kundërshtim me konformizmin ndaj pushtetit për një pëllëmbë kolltuk. 
Defektet e sistemit tonë arsimor pothuajse pa u vërejtur, deri në momentin kur studentët e Ballkan-sistemit nuk e fitojnë bekimin për përsosje në vendet e zhvilluara, ku shkolla e zë pozitën e merituar superiore në listën e vlerave, meqë ajo e ndryshon rrënjësisht cilësinë e jetës për mbarë shoqërinë. 

“Unë e shkriva pasurinë për arsimin – ju po e shkrimin arsimin për pasuri”. Kushdo që ia ka ngjitur këtë mbishkrim bustit të Hasan Prishtinës para Universitetit të Prishtinës, që e mban emrin e tij, ka qenë mjaft kreativ për nderimin e vërtetë të heroit, tashmë të përdhosur në sferën akademike kosovare dhe atë politike-fitimprurëse në Shkup. Vështirë të jetë ndryshe, kur institucioni që duhet të nxjerrë kuadro për udhëheqjen e vendit jashtë varfërisë dhe mjerimit, zhytet vetë në korrupsion dhe hajni intelektuale, nën drejtimin e akrabave dhe çirakëve partiakë të kamufluar në profesorë. 

Në përgjithësi, fakultetet tona janë në gjendje aq të dobët, sa nuk ka nevojë për rang-lista ose vlerësime globale. Mjafton të shihet kush ligjëron atje dhe gjithçka bëhet e qartë. Me respekt të plotë për përjashtimet e pakta që janë në pozitë edhe më të vështirë meqë sundohen nga injorantët brenda fakulteteve ku punojnë me zell, është e pamundur të fshihet vërshimi i makiato-profesorëve dhe hiç-asistentëve të cilët nuk i njeh askush për qëndrim kritik, se për kontribut shkencor as që bëhet fjalë. 

Padyshim, kjo e shkakton defektin thelbësor të shoqërisë – paaftësinë për gjykim dhe kritikë, si parakushte themelore për një shoqëri pluraliste. Profesorët që nuk i shqiptojnë të gjitha tingujt dhe nuk mund të shkruajnë pa gabime drejtshkrimore, nuk prodhojnë asgjë tjetër pos gjeneratave injorante që janë doras dhe viktima të fatkeqësisë me të cilën përballen. Serioziteti i gjendjes shihet pikërisht në pasivitetin e shumicës së studentëve, përfshirë shoqatat studentore në Maqedoni, që nuk prononcohen për solidaritet ndaj kolegëve të tyre në Prishtinë. Si edhe në rastin e protestave disamujore në Sofje, ata nuk bëjnë zë, thuajse korrupsioni dhe klientelizmi janë probleme të largëta.  

Nëse kërkohet një pamje e vetme e cila flet për fundërrinën akademike, ajo padyshim gjendet në objektin e fakulteteve të Universitetit Shtetëror të Tetovës në Shkup, ku ngjitas me hyrjen gjendet një bastore sportive. Sa e dhimbshme aq edhe e trishtueshme, ky moment është shuplakë për të gjithë paraardhësit tanë të cilët e kanë flijuar jetën për edukim në gjuhën amtare. Kuptohet, ka edhe shumë shembuj në botën e universiteteve të shpërndara fshatrave dhe qytezave gjithandej. Si pararoje ndaj relativizimit se edhe në vendet tjera të rajonit gjendja është e njëjtë, duhet pranuar që devalvimi akademik është tipar për shumë vende ballkanike. Por, kjo assesi nuk e lehtëson problemin.

Mbase treguesi më i mirë për masivizimin e sistemit universitar gjendet në shifrat e papunësisë për magjistrat dhe doktorët e shkencës që kërkojnë punë. Së bashku me partizimin e skajshëm të institucioneve publike, ku nuk lejohet rekrutimi i askujt pos ekzekutorëve të deleguar nga dega partiake, lajmet për doktorët e shkencave që kërkojnë punë flasin për mangësinë e shkollave, ku edukimi nuk trajtohet si ngritje intelektuale, por si makineri për prodhim masiv diplomash për në mur. 

Kohërat kritike kërkojnë zgjidhje kritike. Sado që të jetë e vështirë, rrugëdalja e vetme është mbyllja e universiteteve që veçse i thellojnë problemet tona të shumta. Hapi tjetër do të ishte revidimi i diplomave të pedagogëve, duke i përzgjedhur imtësisht më të mirët për të punuar në fakultetet e rihapura cilësore. Ashiqare, logjika e viteve të nëntëdhjeta që kuantiteti jep kualitet, nuk dëshmohet e saktë. Andaj, duhet krijuar një elitë universitare me formulë të ndryshuar, me fokus në punë cilësore dhe qëndrim liberal. Një detyrë aspak e lehtë, që kërkon guxim politik, tipare me të cilat nuk veçohen udhëheqësit tanë, që në vend të vizionit dhe ballafaqimit me të vërtetën, ushtrojnë kontroll mbi çdo ulëse profesori për ta mbajtur turmën larg ngritjes që ua rrezikon pozitat.   

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button