Programi i Kulturës si ‘Shkupi 2014’ shqiptarët përjashtohen

Opinioni shqiptar në vend ngre zërin kundër diskriminimit që i bëhet kulturës shqiptare edhe me Programin e Ministrisë së Kulturës për vitin 2014. Për opozitën shqiptare madje ‘sa herë që shtrohet pyetja se sa mjete ndahen për shqiptarët nga kjo Qeveri, kjo pyetje në fakt duhet riformuluar në ‘sa diskriminohen shqiptarët kësaj here’.

“Ky diskriminim thellohet për çdo ditë e më shumë, si rezultat i paaftësisë së partisë shqiptare në këtë Qeveri dhe, për fat të keq, edhe për shkak të rezistencës së vagët të njerëzve të kulturës shqiptare në këtë shtet”, thekson Bekim Qoku, deputet i PDSH-së.

Edhe përfaqësuesit e kulturës shqiptare ndihen të indinjuar nga mos përfillja e veprave artistike dhe kulturore të shqiptarëve nga Qeveria.

Për Afrim Gashin nga Shtëpia Botuese Logos- A, programi i Ministrisë së Kulturës për vitin 2014 i ngjan projektit “Shkupi 2014”. “Aty mund të gjesh projekte madhështore të kulturës maqedonase ndërsa, nëpër skajet e programit mund të shihen disa gjurmë të lehta e të zbehta që janë dedikuar për përkrahjen e kulturës shqiptare në Maqedoni”.

“Shtëpia Botuese Logos-A është ndër botuesit më të mëdhenj në vend që kryesisht boton projekte jo-komerciale, në funksion të kulturës shqiptare dhe ne nga ky program jemi mbështetur vetëm me dy libra, ndërsa botuesit maqedonase mbështeten me mbi 10 botime. Sa i përket aspekteve tjera kulturore, aty nuk jemi gati aspak prezent, si në veprimtarinë e muzikës, filmit, dramës, muzeve, artit figurativ, qendrave kulturore, asociacioneve të ndryshme kulturore në vend etj., andaj kur shihet në tërësi ky program mund të definohet vetëm si tendencioz, ofendues dhe diskriminues ndaj kulturës shqiptare”, thekson Afrim Gashi, përfaqësues i Shtëpisë Botuese Logos-A.

“Nuk është e vështirë të shihet se sa diskriminuese është Ministria e Kulturës ndaj shqiptarëve në Maqedoni, mjafton vetëm të lexohet Programi i vitit 2014 dhe aty tregon qartë se sa është numri i projekteve që përkrah artistë, autorë apo vepra shqiptare dhe është qesharake dhe të thuhet numri i saktë sepse është turp për gjithë shqiptarët, për gjithë kulturën shqiptare”, shprehet Enisa Bajrami nga Instituti Alternativa Liberale.

Nga ana tjetër Qoku thekson se mashtrimi më i madh që bëhet në këta programe nuk janë sasia e projekteve, por sasia e parave që merr një projekt. “Që të kuptohemi më qartë do marr një shembull me Programin e vitit 2012 të Fondit të filmit. (E dhënë në faqen e internetit të Fondit të Filmit: www.filmfund.gov.mk). Nga 15 projekte në tërësi, i gjeni tre emra shqiptarë. Gjë që si raport, sasia e emrave është në rregull. Por kur llogarisni që një maqedonas (në këtë rast serb në fakt) me vetëm një projekt merr 30 milionë denarë, e ndërsa të tre shqiptarët së bashku marrin 3.6 milionë denarë, kjo flet shumë. Të njëjtat raporte i gjeni gjithandej, edhe në këtë program. Andaj shifrat për secilin projekt nuk bëhen transparente për askënd” sqaron për Portalb, deputet i PDSH-së, Bekim Qoku.
 
Megjithatë Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës Muzafer Bislimi, i hedh poshtë si të pavërteta pretendimet e tilla. “Në çdo Komision ku ka nga dy maqedonas dhe një shqiptarë, kam luftuar që shqiptarët ta marrin pjesën që u takon respektivisht 25% nga mjetet financiare , ndërsa tek investimet kapitale këtë vit jemi mbi 90% për objektet shqiptare, pasi edhe rikonstruimi i Teatri i të Shkupit dhe Tetovës, duhet të realizohen brenda këtij viti”, thekson për Portalb, Bislimi.

“Nëse diskriminim quhet botimi i 100 librave në gjuhën shqipe çdo vit atëherë unë nuk e di se çfarë është diskriminim. Unë jam absolutisht i kënaqur me këto që kemi arritur deri më tani”, shton Bislimi. 

Deputeti i PDSH-së Bekim Qoku thekson se megjithatë, hilja, mashtrimi më i madh ndodh kur bëhet fjalë për realizimin e këtyre projekteve. “Ata shqiptarë ngelin kryesisht vetëm në letër. Të njëjtin fat do ta pësojnë shumica e këtyre ’emrave dhe titujve’ shqiptarë në këtë Program të këtij viti”.

Ndërkaq sipas Afrim Gashit, nga shtëpia botueses Logos-A, nëse vitet e fundit “lufta” ndëretnike në Maqedoni është ashpërsuar ajo më së shumti është ashpërsuar përmes kulturës. “Andaj,  këndellja e shqiptarëve ndaj këtyre tendencave është e domosdoshme dhe urgjente, sa më shumë të na zgjasë ky gjumë aq më shumë do të mbetemi peng të aspiratave megalomane, kulturore e identitare maqedonase dhe të naivitetit, neglizhencës e papërgjegjësisë shqiptare në vend”, thekson Gashi. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button