Në asnjë dokument shtetëror nuk vërtetohet kombësia shqiptare

Qytetarët shqiptarë në Maqedoni ankohen se në asnjë dokument shtetëror nuk shkruhet përkatësia etnike dhe se hasin probleme si në aplikimet për punësim si dhe në shumë sfera tjera në të cilat kërkohet nacionaliteti.

Po ashtu ata ankohen se edhe për aplikim për nënshtetësi shqiptare nevojitet një dokument shtetëror në të cilin shkruhet se janë të nacionalitetit shqiptar.

“E kemi shumë të vështirë tërë kohën rrimë duke  kërkuar poshtë e lart se ku mund të marrim dokument të tillë. Ai është më se i nevojshëm. As në certifikatën e lindjes e as në nënshtetësi nuk thuhet se jemi shqiptarë”, tha Burim I, një qytetar nga Shkupi.

Ai shtoi se edhe në Ambasadën e Shqipërisë në Shkup, dokument kryesor për aplikim për nënshtetësi shqiptare, është ai në të cilin shkruhet përkatësia etnike.

“Kam kërkuar informacion në Ambasadën e Shqipërisë këtu dhe më thanë se dokument kryesor është ai në të cilin dëshmohet nacionaliteti im. Shkova në komunën e Çairit më thanë se nuk japin këtë dokument, më drejtuan në Ministrinë e Drejtësisë as atje nuk më dhanë këtë vërtetim, nuk e di se çfarë të bëj, ku të drejtohem”, tha ai.

Sipas tij të punësuarit nuk i drejtojnë dhe nuk u japin asnjë informacion ndihmës se ku të kërkojnë.

Banorët nga Tetova dhe Gostivari nuk e kanë problem këtë dokument, i cili merret nga ofiqari. Nga Drejtoria për Udhëheqjen e Librave Amzë, thonë se nuk ka dokument i cili dëshmon nacionalitetin.

“Ofiqari nuk ka të drejt të jep vërtetim ku dëshmohet nacionaliteti, ajo është shkelje e ligjit. Një dokument i tillë nuk ekziston dhe ata që ndoshta kanë lëshuar dokument të tillë kanë shkelur kushtetutën”, tha për Portalb, Hashim Zekirovski nga kjo drejtori.

Pas sqarimit të dokumentit të cilin dorëzojnë banorët e Tetovës dhe Gostivarit, Zekirovski bën të ditur se ai dokument nuk është vërtetim për nacionalitet por është vërtetim me të dhënat e një personi që ka në librin amë.

“Mund të ndodh që qytetarët nuk dinë të kërkojnë këtë dokument. Sepse siç thash edhe më herët, vërtetim kombësie ne nuk japim shkaku se nacionaliteti për arsye të ndryshme mund të ndryshojë, mirëpo qytetarët mund të kërkojnë që të ju jepet dokument me të dhënat që ata kanë në librin amzë. Dhe në këtë dokument shkruhet nacionaliteti dhe të dhënat personale të tyre”, shtoi Zekirovski.

Sipas tij ky dokument është mjaft i kërkuar edhe nga ata persona qe duan të punësohen, për shkak se nevojiten informacione personale si  dhe përkatësia etnike.

Lajme të ngjashme

Back to top button