Tetovë, automjeti i merimangës nuk vlen as për pesë pare

Në Tetovë është fakt se mund ta parkosh ku të duash veturën, në trotuar, në vendin ku kalojnë këmbësorët apo po pate mundësi blloko dhe hyrjen e ndonjë institucioni. Askush nuk do të ngacmojë e as dënojë. Ka muaj që automjeti i shërbimit të Merimangës nuk punon.  

Madje, automjeti është i improvizuar sepse fillimisht ka qenë automjet për pastrimin e mbeturinave, pronë e Ndërmarrjes Publike të Tetovës. Më vonë transferohet në automjet për bartjen e veturave të cilat parkohen keq.

Pamje të mjerueshme ka marrë ky automjet që muaj të tërë kalbet afër varrezave myslimane  në qytetin e Tetovës. 

Hysen Demiri, udhëheqësi  i sektorit për komunikacion në Komunën e Tetovës për Portalb thotë se komuna nuk ka llogari ta rregullojë këtë grumbull teneqesh.

“Dëmtimi është i madh, sa e rregullojmë punon dy deri në tri orë dhe përsëri është në defekt, nuk kemi llogari që të investojmë në të njëjtin” thotë Demiri.

Ai nuk dha detaje të tjera se çfarë do të ndërmerret për ta zgjidhur këtë problem. Komuna nuk ka para të blejë automjet të ri ndërsa kaosi i komunikacionit në Tetovë vazhdon të irritojë secilin që dëshiron të lëviz lirshëm nëpër qytet.

Megjithatë, tetovarët ndjehen më rehat sa i përket kësaj çështjeje, duke pasur parasysh se banorët e Shkupi paguajnë dënime të mëdha që janë në disproporcion me standardin jetësor. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button