Shkurtohen fondet evropiane për Maqedoninë

Kriza politike ka rritur presionin ndërkombëtar ndaj Maqedonisë. Për shkak të ngecjes së reformave dhe mos zbatimit të pikave kryesore të marrëveshjes politike, Komisioni Evropian ka shkurtuar fondet IPA për projekte të ndryshme, përfshirë edhe ato për korridorin 8. Nga qeveria thonë se nuk bëhet fjalë për sanksione, por për tërheqje të fondeve të pashfrytëzuara, ndërsa për këtë fajësojnë opozitën. Ekspertët, ndërkohë, paralajmërojnë pasoja në ekonomi, por nuk përjashtojnë mundësinë e masave nëse kriza nuk merr një epilog pozitiv, shkruan REL.

Shkurtimi i Fondeve IPA për Maqedoninë nga ana e Komisionit Evropian për shkak të krizës politike, mos zbatimit të reformave dhe ngecjeve në realizimin e pikave të marrëveshjes së Përzhinës, do të ketë pasoja jo vetëm ndaj procesit integrues, por edhe zhvillimit ekonomik të Maqedonisë, pavarësisht përpjekjes së autoriteteve për të heshtur vendimin e Brukselit.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve ndërkombëtare, duke komentuar njoftimet fillimisht për shkurtimin e 27 milion eurove nga programi për vitin 20016, por edhe njoftimet për dhjetëra miliona euro të tjera që ishin miratuar për korridorin 8.

Këto masa, sipas ekspertëve, tregojnë qartë se Brukseli nuk ka më besim te autoritetet vendore dhe për këtë ka vendosur ashpërsimin e menaxhimit të fondeve IPA.

“Vlerësoj se bëhet fjalë për sanksione politike ndaj Maqedonisë. Në kuadër të kushtëzimeve politike të BE-së, e tërë ndihma ndaj vendeve të treta, pa marrë parasysh se për kë bëhet fjalë, apo çfarë statusi kanë, pra e tërë ndihma varet nga respektimi i parimeve dhe vlerave të BE-së.”

“Këtu bëjnë pjesë niveli i demokracisë, sundimi i ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut, e kështu me radhë. Pezullimi i një pjese të fondeve është vërejtje serioze për shtetin, për qasjen negative ndaj vlerave evropiane”, thotë Malinka Risteva, nga Instituti për Politikë Evropiane.

Sipas saj, bëhet fjalë për një humbje të madhe, pasi për arritjen e fondeve të BE-së është investuar shumë dhe se me këtë vendi është larguar edhe më shumë nga integrimi në Bashkimin Evropian. Ajo thotë se vendimi për ndërprerjen apo tërheqjen e fondeve do të ketë pasoja në zhvillimin ekonomik, pasi shumë projekte janë financuar pikërisht nga Fondet IPA.

Ekspertët nuk përjashtojnë mundësinë që masat të zgjerohen deri në mundësinë e heqjes së vizave për qytetarët e Maqedonisë.

“Qeveria tani është në ‘nokdaun’ total dhe tani nuk din se çfarë të bëjë. Mendoj se nëse nuk ka zgjidhje të shpejtë… me siguri se buxheti i Maqedonisë do të shkojë në kolaps. Gjithashtu vlerësoj se nëse ka zvarritje serioze masat që mund të ndërmerren do t’i prekin edhe qytetarët, duke përfshirë edhe heqjen e vizave, që do të ishte një dëm i madh për të gjithë, por edhe ndoshta mesazh dërguar bankave komerciale që të mos mund të blejnë thesare të cilat i emiton Maqedonia për kreditim”, thotëMersel Bilalli, njohës i çështjeve politike dhe ligjërues në Universitetin Fon të Shkupit.

Nga qeveria në reagimin e parë pas njoftimin për shkurtimin e fondeve thanë se nuk bëhet fjalë për sanksione, por për zvogëlim të mjeteve të programuara dhe për këtë kanë fajësuar opozitës e cila siç thuhet me krizën e krijuar ka pamundësuar shfrytëzimin e fondeve evropiane.

“Gjatë kësaj periudhe institucionet kanë qenë të hendikepuara me bllokimin e disa ministrive kyçe, përfshirë edhe atë të financave. Partia më e madhe opozitare pjesëmarrjen e saj në qeveri nuk e shfrytëzoi për rritjen e besimit në procesin zgjedhor, siç parashihej me marrëve veshjen politike, por përkundrazi, gjithë energjinë e saj e orientoi në bllokimin e institucioneve duke i bërë një dëm të madh shtetit”, thuhej në reagimin e shërbimit për informim të qeverisë.

Por, vërejtjet e Komisionit Evropian janë shumë më të hershme se pretendimet e qeverisë, e cila për shkurtimin e fondeve fajëson pjesëmarrjen e saj gjashtë mujore në qeverinë kalimtare.

Brukseli vite me radhë kishte përsëritur shqetësimet e tij ndaj autoriteteve, rreth mungesës së gatishmërisë për të zbatuar reformat e domosdoshme nëpër sektorë, apo në përgjithësi angazhimin ndaj reformave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button