Hapet ekspozita e krijimeve të modës “Modelizëm”

Në sallonin e ekspozitave të Galerisë Nacionale të Maqedonisë (Hamami i Daut Pashës) në Çarshinë e Vjetër të Shkupit sonte u hap ekspozita e krijimeve të modës të studentëve të Institutit internacional “Izet Curi” e titulluar “Modelizëm”, raporton Anadolu Agency (AA).

Stilisti i modës Izet Curi, i cili ndryshe është themelues i Institutit Ndërkombëtar për Modë që mban emrin e tij tha se ekspozita përbëhet prej kreacioneve të ndryshme të modës të studentëve nga viti i parë në këtë institut të modës.

“Ne këtë çdo vit do ta bëjmë, studentët kanë detyra të cilat në mënyrë strikte janë shkollore, ndërsa dy muaj para përfundimit të vitit shkollor bëjnë kreacione që dëshirojnë sipas zgjedhjes së tyre, të cilat sot i shfaqim në këtë ekspozitë”, deklaroi Curi, duke shtuar se nuk e fsheh kënaqësinë e tij nga rezultatet e treguara të tyre.

“Jam shumë i gëzuar nga ajo që treguan nxënësit, sepse kanë shumë talent, krenohem me to, një ditë do të krenohen shumë prindër dhe do të krenohet mbarë Maqedonia”, tha stilisti Curi.

Në hapjen e ekspozitës morën pjesë kryetari i komunës së Çairit Izet Mexhiti, përfaqësues të Institutit francez në Shkup, disejnues mode, stilistë, si dhe shumë pasionuar pas modës.

Krijimet e modës së studentëve të Institutit Ndërkombëtar për Modë do të ekspozohen gjatë dhjetë ditëve të ardhshme ku të interesuarit do të mund t’i shohin. Ky projekt është mbështetur nga ambasada e Francës në Republikën e Maqedonisë, Instituti francez dhe komuna e Çairit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button