Rama opozitës: Na vini në pozitë vetëm me injorancë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke folur në një seancë plenare në parlament, ka theksuar edhe njëherë vendosmërinë e qeverisë së tij për të luftuar krimin e organizuar. Duke ironizuar opozitën, që nuk po i vë do në opozitë, Rama tha se ishte ish-qeveria e Berishës, ajo e cila e bëri shtetin fije-fije, duke i nxjerrë shtetit ujin e zi.

“Dëshiroja që opozita të na vinte në pozitë të vështire, por kjo na vë të gjithë në pozitë si njerëz të këtij vendi, dhe vë në pozitë gjithë ata që kanë mundësi ta ndjekin seancën e sotme, për shkak të atyre që fliten, ku të mbyt injoranca, ku të vjen keq për gomarin, ku këta gomarin e mbajnë për samar për Saliun. Këta e bënë shtetin fije-fije, i nxorën ujin e zi çdo cepi të Shqipërisë. Këta kanë kaq shumë hesape të pambyllura, sa që i gënjen mendja se mund ti derdhin nëpërmjet llumit të fjalëve të tyre. 

Bëjnë sikur vajtojnë për Shqipërinë, madje këta, (ja këta), bëjnë sikur vajtojnë edhe për administratën që po shkatërrohet. Është diçka tjetër ajo që ju vajtoni vërtet, por nuk e thoni dot. Ajo që ju vajtoni është humbja e pushteti tuaj, humbja e pushtetit policor, vajtoni edhe për serverin që ne çuam në prokurori. Lëre pastaj se si ju ndjehet mllefi në çdo fjali që lexoni kur bëni akuzat për shtetin”, -u shpreh kryeministri Rama. 

Më tej Rama tha se opozita e sotme di vetëm të akuzojë dhe të hedhë baltë mbi Policinë e Shtetit, kur në fakt faktet flasin për një përmirësim të gjendjes së krimit në vend. 

“Pas operacioni spektakolar të policisë, mazallah se heshtët, se për të thënë ndonjë fjalë të mirë nuk pret kush nga ju. Shtetin që ju rrënuat ne do të vazhdojmë ta ndërtojmë. Shifrat e Policisë së Shtetit e tregojnë mjaft mirë punën e qeverisë. Ka më pak vrasje dhe më pak vdekje se sa një vit më parë, ku ju nuk ishit këtu, dhe mbitë tani, sikur nuk ishit jua ata që e çuat vendin në këtë situatë.  

Ne nuk jemi të kënaqur dhe as nuk do të kënaqemi ndonjëherë, deri në ditën e fundit të pushtetit, pasi lufta me krimin nuk mbaron  asnjëherë, në asnjë shtet të botës. Sot nuk mund të krahasohemi me ju, pasi të jesh i kënaqur dhe të krahasohesh me ju është njësoj si të kënaqej skuadra e Flamurtarit me skuadrën e ‘ping-pongut’ të fshatit të Saliut. Ne do të kënaqemi vetëm në qoftë se i afrojmë shifrat e krimin në Shqipëri me shifrat e krimit të Evropës”, -tha Rama.

Meta fton opozitën për bashkëpunim

Më tej, në fjalën e tij kryetari i kuvendit, Ilir Meta ftoi opozitën për bashkëpunim dhe u sugjeroi që t’i marrin gjërat me qetësi, pasi në politikë ashtu duhet bërë. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i ish-kryeministrit Berisha, duke thënë se ftesa e Metës ishte e pasinqertë, ishte një ftesë e llojit “makbethian”. 

Berisha: Unë jam vetëm një deputet, kryetarin tim të partisë e kam në seli

“Krimi po rritet dita-ditës, dhe këtë gjë e dinë tashmë të gjithë. I nderuar kryetar, për sa i përket ftesës suaj për dialog, ajo është e llojit makbethian, pasi ju për më shumë se dy muaj e keni shkelur konsensusin.” 71 punonjës janë shkarkuar në drejtorinë e konvikteve nga LSI-ja. Madje është përgatitur lista edhe për 100 persona të tjerë, për tu hequr nga puna. Në qoftë se ju do të shkoni drejt shtetit policor edhe ne do t’ju përgjigjemi siç e meriton një shtet policor, pasi nuk kemi rrugë tjetër. Ju keni frikë nga pasuritë tuaja ndaj s’po bëni kontrollin e pasurive. Ku do i çoni thasët e parave që i vidhni çdo ditë? Normalisht që do i pastroni nëpërmjet institucioneve që ju keni në dorë. Këtë vend po e largoni nga integrimi evropian. Zoti kryetar (Metës) ftesa juaj ishte shumë e pasinqertë. 

(I përgjigjet një deputeti) Unë jam deputet si ti, unë po flas si deputet këtu, kryetarin tim të partisë e kam në seli. Jam dakord me ju, konsensusi duhet të rivendoset, por pasi të bëhen ndryshimet e duhura./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button