Maqedonia më larg se kurrë EU-integrimit, BDI rrezikon të mbetet në histori

“Bashkimi Evropian dhe NATO-ja , janë kryefjala e këtij mandati, duke mos lënë mënjanë as mirëqenien dhe zhvillimin ekonomik të qytetarëve.”, kishte thënë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti gjatë prezentimit të të arriturave të 100 ditëshit në qeveri (më 29.09.2014) dhe jo vetëm. Por analistët vlerësojnë se ndryshe nga premtimet e vazhdueshme të BDI-së, Maqedonia nuk ka qenë asnjëherë më parë më larg integrimit në BE. Për Portalb ata thanë se BDI ka dështuar në përcaktimin e saj dhe se do t’i humb votuesit e lirë.

 

Xhelal Neziri

Neziri: Me pjesëmarrjen në qeveri BDi ka përligjur politikat anti-integruese

“BDI ka dështuar në përcaktimin e saj për integrimin e vendit në BE, por edhe në NATO. Integrimi evropian sot është më larg se asnjëherë më parë. Korrupsioni, kriza e demokracisë dhe shkelja e të drejtave të njeriut kanë kthyer mbrapa vendin në rrugën e integrimit.”-deklaroi për Portalb Xhelal Neziri, “Për këtë regres patjetër se edhe BDi ka përgjegjësi, pasi me pjesëmarrjen në qeveri ka kontribuar dhe ka përligjë politikat anti-integruese dhe jodemokratike.”

 

Alajdin Demiri

Demiri: BDI do të jetë një e kaluar në skenën politike të shqiptarëve në Maqedoni

“Premtimet e BDI-së për anëtarësim në BE dhe NATO kanë qenë një frazë, që as ata vetë nuk e kanë kuptuar dhe asnjëherë nuk kanë bërë që diçka të ndodh në këtë drejtim. Kjo d.m.th. se ishte një frazë marketingu të cilën ata në mënyrë të pakuptimtë, në mungesë të ofertave politike e përdorën.”-tha Alajdin Demiri, “Sot kur Maqedonia është më larg se kurrë ndoshta edhe i mbyll dyert definitivisht për anëtarësi në BE, BDI sërish do të vazhdojë me të njëjtat premtime. Besoj se nuk është e vetëdijshme për pozitën e saj.”

Në pyetjen se si do të reflektohet kjo tek elektorati, Demiri sqaroi: “Natyrisht elektorati di ta çmojë këtë. Mirëpo BDI ka një elektorat të betonuar, ato të cilët janë të kërcënuar: të punësuarit dhe të tjerët dhe unë mendoj se vetëm ajo pjesë do t’i ngele, ndërsa pjesa e elektoratit të vetëdijshëm të cilët janë në gjendje të zgjedhin dhe të ofrojnë zgjidhje nuk do ta votojnë, BDI do të jetë një e kaluar në skenën politike të shqiptarëve në Maqedoni.”

Ndryshe, BE ia ndaloi Maqedonisë marrjen e 69 milion eurove nga Fondet IPA, gjë që drejtpërdrejtë prek Korridorin 8; pezulloi 27,1 milion eurot e para nga fondet IPA për Maqedoninë  dhe zvogëloi 20,5 milionë euro nga IPA 2./ Portalb.mk

LEXO: Poposki: Integrimi në BE është përcaktimi ynë kryesor strategjik

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button