Ambasadori i Katarit e vizitoi USHT-në

Hassan Bin Abdullah Zaid Al Mahmoud, ambasador fuqiplotë i Katarit, në Maqedoni, gjatë ditës së sotme qëndroi për vizitë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, me ç ‘rast u prit nga Rektori i USHT-së, Vullnet Ameti dhe Prorektori për Arsim, Fehari Ramadani. Me këtë rast, nga ana e drejtuesve të USHT-së, ambasadori Al Mahmoud, u njoftua lidhur me funksionimin e USHT-së dhe planet zhvillimore për të ardhmen. 

Njëra ndër temat kryesore të këtij takimi ishte edhe gjetja e mundësive për bashkëpunim në mes USHT-së dhe universiteteve nga vendet arabe të Gjirit Persik, ku bën pjesë edhe Katari, veçanërisht në rrafshin e këmbimit të përvojave, si dhe në rrafshin e vizitave studimore të stafit akademik dhe studentëve. 

Ambasadori i Katarit, Hassan Bin Abdullah Zaid Al Mahmoud, u zotua se do të bëj përpjekje maksimale, për sigurimin e bashkëpunimeve të ndryshme në mes USHT-së dhe universiteteve të vendeve arabe, me theks të veçantë të atyre të rajonit të Gjirit Persik, jo vetëm në pjesën që i përket punës akademike dhe shkencore, por edhe forma të tjera bashkëpunimi, si dhe ndihma të formave të tjera për USHT-në, si universitet relativisht i ri në Republikën e Maqedonisë.

Gjatë periudhës së ardhshme pritet që të intensifikohen kontaktet me ambasadën e Katarit, në mënyrë që jetësimi i bashkëpunimit në mes USHT-së dhe universiteteve të vendeve arabe, të rajonit të Gjirit Persik, të jetë sa më i shpejtë dhe më funksional.

Lajme të ngjashme

Back to top button