Ademi: Nëse jo president konsensual, atëherë zgjedhje të parakohshme

Nëse VMRO DPMNE-ja nuk e pranon kërkesën e BDI-së për kandidat konsensual, atëherë partia e Ahmetit do të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato presidencialet. Sekretari i përgjithshëm i BDI-së Abdylaqim Ademi e quajti papjekuri refuzimin eventual të VMRO-së për kandidat të përbashkët presidencial. Ademi tha se BDI-ja nuk do të presë gjatë përgjigje nga VMRO DPMNE-ja për kandidatin konsensual,transmeton Alsat.

“BDI konsideron se nëse nuk hasim në mirëkuptim për ofertën tonë për kandidat konsensual do të konsiderojmë që subjektet politike ende nuk janë të gatshme për këtë ofertë, dhe ende janë të papjekura për të pranuar ballafaqim me sfidat e reja. Qëndrimi i BDI-së është se nëse nuk hasim në mirëkuptim për kandidatin konsensual do të shqyrtohen seriozisht të gjitha opsionet e tjera, duke mos përjashtuar edhe zgjedhjet e parakohshme”, u shpreh Abdylaqim Ademi, Sekretar i Përgjithshëm i BDI-së.

Nga VMRO DPMNE-ja hodhën poshtë informacionet për arritjen e ndonjë marrëveshje për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Nuk ka vendim, nuk ka vendim. Në momentin që do të ketë vendim, nëse ka vendim për zgjedhje të tjera përveç presidencialeve, do ta njoftojmë opinionin”, tha Ilija Dimovski, VMRO DPMNE.

Lidhur me kandidatin presidencial, VMRO-ja është duke i bërë vlerësimet brenda-partiake rreth kandidatit më të volitshëm për ta. Informacionet e para flasin se Gruevski e ka pritur me skepticizëm idenë e BDI-së për kandidat konsensual, dhe gjasat janë të vogla që kjo ide të realizohet.

Lajme të ngjashme

Back to top button