Gjykata joefikase, mban peng qytetarët

Gjykata e Tetovës, është një ndër gjykatat me një mesatare shumë të dobët të efikasitetit në azhurnimin e lëndëve gjyqësore. Por sipas drejtuesit të kësaj gjykate, Hanif Zendeli, me zbatimin e reformave, gradualisht rritet efikasiteti i tyre.

Megjithatë, hallexhinjtë që duhet të enden nëpër dyert e gjykatës tregojnë një realitet tjetër.
Ajet Ismaili, me vite të tëra endet korridoreve të gjykatës, për një kontest gjyqësor, që nuk arrin të marrë epilogun përfundimtar me miratimin e një vendimi nga gjykata.

“Prolongimi i procesit  gjyqësor për një vepër penale, respektivisht dënim në të holla,  që më është dhënë para 4 viteve, po më kushton dyfishin e dënimit që duhet ta paguaj”, thotë për Portalb, Ajeti. 

Ai tregon se nga njëra seancë gjyqësore deri në mbajtjen e tjetrës shpesh duhet të kalojnë muaji të tërë pritje. Sipas tij, pas prolongimit të procesit gjyqësor në mënyrë të njëanshme nga ana e gjyqtarit, është vështirë rikthimi i procesit për shkak të mungesës së gjyqtarëve tjerë.

Nexhati Veliu, thotë për Portalb se me përforcimin e rolit të përmbaruesve, po vështirësohet gjithnjë e më shumë përpjekja për ti fituar padrejtësitë nëpërmjet një procesi më transparent gjyqësor. Ai thotë se është viktimë e pagesave të dënimeve të mëdha sidomos nga operatorët e telefonisë celulare, për të cilët thotë se janë të pathyeshëm në proceset gjyqësore, duke arritur që t’i mbulojnë me mjeshtri vendimet e tyre të prera.

Nga ana tjetër, deklaratat e kryetarit të gjykatës së Tetovës, Hanif Zendeli, tregojnë për rritjen e efikasitetit të kësaj gjykate, duke përshpejtuar procesin e shqyrtimit të lëndëve të mbetura prej kohësh në arkivat e gjykatës.

Dinamika e lëndëve të shqyrtuara në Gjykatën Themelore në Tetovë, në periudhën nga janari deri në dhjetor të vitit të kaluar, ka bërë që kjo gjykatë ta lë vendin e fundit në rangimin e gjykatave më të dobëta dhe të radhitet në mesin e gjykatave me dinamikë më të madhe.
“Proceset gjyqësore të cilët zgjateshin me vite, në Gjykatën Themelore në Tetovë, kohën  fundit po shqyrtohen me një dinamikë më të madhe. Për herë të parë në këtë gjykatë, në më pak se një vit, është arritur që të shqyrtohen afër një mijë lëndë gjyqësore të mbetura, gjë që pasqyron efikasitetin e Gjykatës së Tetovës”, thotë për Portalb kryetari i gjykatës Hanif Zendeli.

Avokati Milazim Rushani është i mendimit se gjykatat tona, janë jashtë standardeve të duhura edhe pse gjithmonë ka pasur dhe do të ketë tendenca përmirësimi qoftë me ligje apo në forma të tjera.

“Këta tendenca në formë praktike apo në ushtrimin e detyrës së tyre janë larg standardeve të duhura. Gjykatat tona nuk mund të shkëputen nga gjykimet politike edhe pse sistemi është një nga tre shtyllat kryesore të funksionimit të shtetit”, thotë për Portalb, Milazim Rushani.

“Qytetarët janë ata që pësojnë më së shumti, nga funksionimi i ngurtë i gjykatave. Qytetarët qoftë edhe për një kontekst ët thjesht u duhet për një kohë të gjatë të zvarriten korridoreve dhe dhomave të gjykatave, për të arritur zgjedhjen e atij kontesti” përfundon ai. 

Lajme të ngjashme

Back to top button