(VIDEO) Momenti i arrestimit të Mitros, që i vendosi tritol prefektit të Vlorës

Janë bërë publike pamjet e xhiruara nga kamerat e sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza” në Rinas, ku tregohet arrestimi i Marion Mitros, teksa tentonte të largohej jashtë vendit. Policia sqaroi se Mitro është porositësi i lëndës eksplozive që janë vendosur në makinën e prefektit të Vlorës.

“Policia e kishte nën mbikëqyrje Mitron dhe ka ndërhyrë në momentin e duhur për ta ndaluar atë. Ky shtetas dyshohet se është porositësi i lëndës eksplozive që u vendos në automjetin e Prefektit të Vlorës, më 13 dhjetor 2013, dhe që u zbulua në hyrje të godinës së Kryeministrisë”, deklaroi drejtori i Policisë së Tiranës Ardian Çipa.

42-vjeçari mendohet se shërbente si nyje lidhëse mes biznesmenëve dhe vrasësit Julian Sinanaj. Ai ka qenë njëri nga vartësit e kryebashkiakut Shpëtim Gjika.

Ky i fundit për disa vite e ka punësuar si inspektor në Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik Vendor të bashkisë Vlorë. Mitro ka qëndruar në marrëdhënie pune në bashkinë e Vlorës, deri para gjashtë muajve dhe më pas është larguar për arsye ende të paqarta.

Mitro u pikas fillimisht nga sportelistja, e cila pasi ka futur të dhënat e pasaportës së tij në kompjuter, e ka pulsuar në ekran urdhrin e ndalimit për të. Ai është dërguar me justifikimin e një verifikimi rutinë në zyrën e kryekontrollit para se të kalohet në transitin e aeroportit.

Pamjet filmike tregojnë se këta efektivë shtesë dhe dy oficerë të tjerë shoqërojnë Mitron me pranga në duar, nga zona e kontrollit, jashtë terminalit, me destinacion komisariatin e Rinasit. /SHO/Telegrafi/ 

Lajme të ngjashme

Back to top button