Maqedonisë zgjedhjet i shpallen në Serbi, qeveria i bie në Shqipëri

?aqedonia është vendi me lidhje fqinjësie më të mirë: Zgjedhjet parlamentare e saj shpallen në Serbi, qeveria i formohet në Bullgari dhe i rrëzohet në Shqipëri. Ky do mund të ishte konstatimi më i saktë për atë se ku ka arrit Maqedonia në njërin nga kriteret e kërkuara nga BE-ja; fqinjësi e mirë, por edhe për gjendjen në përgjithësi. Gjithë kjo pasi nënkryetari i qeverisë së Serbisë në një emision në vendin e vet, e duke fol për punë të veta, përmendi se në Maqedoni do ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare?!

Sigurisht për versione më të sakta dhe të plota do duhej të cekeshin edhe Çekia ose Sllovakia si vende ku mund të ishin formuar qeveritë e Maqedonisë, si dhe fqinjët Greqia dhe Kosova, si vende ku mund të ishin shitë ose blerë këto qeveri, por konstatimi mund të jetë më se i saktë sidomos për Serbinë dhe Shqipërinë. Që kjo qeveri aktuale e Maqedonisë është rrëzuar në Shqipëri dhe se zgjedhjet i shpallen pas ndonjë koordinimi me Serbinë fqinje?! 

Nga fakti se ajo të cilën e kumtoi nënkryetari i qeverisë të Serbisë për zgjedhje në Maqedoni ishte vetëm një ditë pas vizitës zyrtare të kryeministrit të Serbisë në Shkup. Vizitë kjo që përmbante edhe një pjesë të mbyllur për opinionin. Gjë që për në Maqedoni ndoshta nuk përbën ndonjë diferencë; e mbyllur apo jo, duke patë parasysh gjithë këtë ngufatje të opinionit dhe medieve objektive. Pasi, ja, këtu ndodh që edhe informata për çështje aq të rëndësishme si shpallja e zgjedhjeve të lajmërohen së pari ne medie të Serbisë dhe jo nga ndonjë mjet informimi të këtushëm?!

Po ashtu edhe për pjesën e Shqipërisë, ku ndërsa këtu jepen vetëm info dhe dilema nëse ka apo s’ka projekt për fushën e Llukovës dhe Radikën, në mediet në Shqipëri kjo çështje u debatua gjerë dhe gjatë dhe me shumë hollësi. Masa kritike në opinionin e atjeshëm që dëshmoi sensibilitetin e vet tani rishtazi edhe me çështjen e shkatërrimit të armëve kimike arriti të debatojë, bukur mirë, edhe për atë se nëse shqiptarët e Maqedonisë kanë përfaqësim në qeveri të Maqedonisë. Kjo gjë edhe mund të jetë arsyeja se dy ministra të këtushëm, shqiptarë, ai i Ekologjisë dhe Ekonomisë, u thirrën në Tiranë, mu sikur në ndonjë bisedë informative, ndoshta edhe për tu vërtetuar Shqipëria nëse ata dy ekzistojnë apo jo. Pasi, vërtetë, nëse në ministritë me të cilat udhëheqë, ka projekte që tangojnë shumë, ato që mëton të i përfaqësosh, kurse nuk e din, ose ende flet për atë nëse ekzistojnë apo jo projekte të tilla, atëherë është e radhës që të të thërrasin në Tiranë që fizikisht të dëshmosh ekzistencën tënde. Pasi ndryshe, politikisht, me asgjë nuk ke dëshmuar ekzistencën tënde.

Qeveria e Shqipërisë mund që tani udhëhiqet sipas thënies të moçme: ai që është djeg me qullin i fryen edhe kosit dhe sigurisht do shqyrton mirë gjithë këtë çështjen e lumit Radikë, që varet kryesisht nga ata. Ajo që fituam që tani me këtë rast, ne si qytetarë të Maqedonisë është se edhe opinioni mbarë në Shqipëri pati rastin të njoftohet me shkallën dhe kualitetin e përfaqësimit politik të shqiptarëve të këtushëm. Dituri kjo me cilën do zbutet pak, një disproporcionalitet në raportet tona me Shqipërinë. Pasi ne nga këtu i dimë ata, kurse ata shumë pak kanë idenë për atë se çka në të vërtetë është duke ndodhur me shqiptarët e Maqedonisë. Televizionet e Shqipërisë mund të jenë prej medieve më të ndjekura, sipas çdo matjeje, në tërë Maqedoninë. Matje kuantitative pasi për relevancën e informacioneve, ja, neve na duhet të ndjekim mediet serbe, edhe për të kuptuar nëse ka apo s’ka zgjedhje parlamentare. Ashtu edhe bustin kontraverz të Car Dushan-it në Shkup, e morëm vesh vetëm nëpërmjet medieve serbe. Një bust ky, që në saje të gjithë harxhimeve me mbrojtje policore, mund të dale busti më i shtrenjtë nga gjithë përmendoret tjera, krejt jolegale, pasi nuk janë vënë sipas ligjit aktual, i cili parasheh që të ishin të venduar aty me shumicë të dyfishtë në parlament.

Kjo pasi mjete informimi objektive në Maqedoni kanë mbet shumë pak dhe heqin të zitë e ullirit për të mbijetuar, ndërkohë që ka sosh që nën siglën dhe emrin e medieve bëjnë tenderë dhe milionë euro nga qeveria e që shihen se kanë tjera punë nga ajo që të informojnë qytetarët e këtij vendi. Paratë publike e të cilëve janë duke i shfrytëzuar, nëpërmjet një skeme korruptive, ku nuk dallohet kush është stadiumi, kush milioni dhe kush televizioni?!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button