Shqipëri, transporti urban në grevë: “S’kemi marrë rrogat”

Transporti urban në kryeqytet ditën e sotme ka pezulluar aktivitetin e tij të përditshëm për 4 orë, nga ora 05:00 deri në 09:00. Një ditë më parë ishte paralajmëruar se sot në mëngjes, urbanët nuk do të punonin në shenjë proteste ndaj mos marrjes së rrogave nga ana e punonjësve të urbaneve, shoferët dhe faturinot. 

Kreu i Sindikatës së Transportit Urban, Zija Hasanaj paralajmëron grevë tjetër 24-orëshe nëse punonjësit; shoferë dhe faturinot, nuk do të marrin rrogat. Ai thotë se punonjësit e urbanëve kanë 2-3 muaj pa marrë asnjë rrogë nga punëdhënësit të tyre, të cilët thonë se nuk janë në kushte të paguajnë.

Ata kërkojnë që bileta e urbanit të rritet në 70 lekë si dhe të merren masa për dhënien e pagave të këtij muaji dhe të pagave të prapambetura.

“Kjo ndërprerje si shkak i prishjes së marrëveshjes së 20 dhjetorit 2013 me shoqatën e transportit urban pasi kanë dy- tre muaj pa paguar pagat e punonjësve. Në 20 janar duhet të paguheshin edhe pagat e prapambetura. Në bankë nuk është derdhur as paga e muajit janar”,- u shpreh Hasanaj.

Kreu i sindikatës paralajmëron se nëse situata nuk zgjidhet atëherë pas 15 ditësh sindikata do të zhvillojnë një grevë tjetër, ku do të ndërpritet lëvizja e urbanëve për 24 orë.

Siç është bërë e ditur, ka tentativë midis Ministrisë së Financave dhe atë të Transportit që kjo çështje të marrë zgjidhje përfundimtare. Ende nuk është përcaktuar një çmim për transportin urban. Mendohet se vlera e një bilete mund të jetë 50 lekë dhe një subvencionim të naftës nga shteti./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button