Merkel: SHBA-të dhe Britania janë mosbesuese

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, deklaroi se programet britanike dhe amerikane të përgjimit tregojnë mungesë besimi midis aleatëve.

Deklarata e Merkelit u bë ndërsa ajo iu adresua Bundestagut për herë të parë pas rizgjedhjes.

Kancelarja theksoi se besimi i ndërsjellë është minuar në mënyrë përfundimtare, ndërsa akuzoi agjencitë amerikane dhe britanike se kanë përdorur këto programe, gjithashtu për të siguruar në mënyrë të paligjshme sekrete industriale.

Në muajin tetor, Gjermania kërkoi shpjegime nga ambasadori amerikan në Berlin, pas mësimit të faktit se celulari personal i kancelares ishte midis telefonave të përgjuar prej SHBA-ve.

Në atë moment, Merkel kërkoi një shpjegim të detajuar nga Uashingtoni, për artikullin që “Der Spiegel” siguroi nëpërmjet dëshmisë së Edward Snowdenit, ish-punonjësit të NSA-së që i bëri botës të njohur ekzistencën e programit të përgjimeve.

Në përgjigjen zyrtare, Shtëpia e Bardhë tha se nuk i ka monitoruar thirrjet e kancelares në të shkuarën dhe se nuk do ta bëjë diçka të tillë as në të ardhmen.

Megjithatë, është lënë pa marrë përgjigje pyetja nëse përmbajtja e telefonatave të saj është dëgjuar gjatë ekzistencës disa-vjeçare të programit të përgjimeve.

Në një zhvillim tjetër gjatë të mërkurës, kreu i Shërbimit Qendror Informativ Amerikan (CIA), James Clapper, pranoi se aktiviteti i Snowdenit e ka dëmtuar ndjeshëm aparatin kombëtar të sigurisë.

“Ajo që Snowden vodhi dhe ekspozoi tejkalon ndjeshëm fushën e tij të veprimit dhe të ashtuquajturin shqetësim të tij për programin kombëtar të përgjimeve. Si rezultat, kemi humbur burime thelbësore të informacionit në botë, përfshi disa të cilat i ndanim me partnerët tanë”, tha Clapper./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button