Nuk merret parasysh kërkesa për seancë të jashtëzakonshme të Senatit të UKM-së

Seancë të jashtëzakonshme të Senatit të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” (UKM), në të cilën do të bisedohej për ndodhitë e fundit rreth zgjedhjeve studentore dhe për atë se studentët a janë vetë të aftë që të organizojnë dhe zbatojnë zgjedhje pa mbikëqyrje të autoriteteve universitare, sot nuk do të ketë, njofton Portalb.

Edhe pse një pjesë e anëtarëve të Senatit, të hënën kanë kërkuar që të ketë seancë të jashtëzakonshme që të mbahet sot, megjithatë Rektorati ende nuk u ka kthyer përgjigje.

Sipas Statutit, seanca caktohet një javë më parë, por në këtë rast bëhet fjalë për rrethana të jashtëzakonshme dhe senatorët shpresojnë se rektori do t’ua pranojë kërkesën.

“Të hënën nga fundi i orarit të punës si senatorë dorëzuam numër të nevojshëm të nënshkrimeve me kërkesë për mbajtjen e seancës. Dje ishte ditë jopune, ndërkaq sot nuk kemi kurrfarë përgjigje dhe informata në lidhje me kërkesën tonë. Me të vërtetë koha ishte e shkurtër, por shpresoj që deri në fund të javës do të kemi seancë. Shpresoj se në këtë rast do të punojë ndërgjegjja për rëndësinë e situatës. Po flasim për thirrje të seancës në të cilën vetëm do të bisedohet. Nuk mundem dhe nuk dua të besoj se kemi ardhur në atë nivel që t’i bllokojmë edhe bisedimet për këtë temë”, thotë anëtarja e Senatit të UKM-së, profesoresha Maja Stefanoviq.

Përndryshe, sipas Statutit të UKM-së, Rektorati dhe Senati nuk kanë mundësi ligjore për shfuqizimin e zgjedhjeve studentore.

Plenumi Studentor vlerëson se as Parlamenti Studentor, por as vetë ata nuk kanë kapacitete që vetë t’i zbatojnë zgjedhjet. Nga Plenumi vlerësojnë se autoritetet universitare duhet të fitojnë legjitimitet për shfuqizimin e zgjedhjeve, sepse siç thonë ata, kështu do të konstatohet legjitimiteti i përfaqësuesve studentor.

seancën e fundit, gjithashtu të jashtëzakonshme, Rektorati i UKM-së, vlerësoi se zgjedhjet për kryetar të Parlamentit Studentor të UKM-së kanë qenë skandaloze, transmeton Portalb,

Zgjedhjet kanë eskaluar me përleshje fizike gjatë së cilës janë përzier edhe përfaqësuesit e MPB-së, të cilët, sipas Rektoratit, nuk kanë qenë të thirrur nga personat përgjegjës të universitetit.

Rektorati vendosi të formohet komision i cili do t’i shqyrtojë të gjitha faktet dhe dëshmitë për ngjarjet dhe situatën lidhur me zgjedhjet studentore.

Nga Plenumi Studentor janë pjesërisht të pakënaqur me formimin e komisionit, sepse vlerësojnë se deri më tani, formimi i komisioneve të tilla ka sjellë deri te relativizimi i problemit.

Rektori në largim, Velimir Stojkovski, është shprehur i shqetësuar dhe kërkoi nga Parlamenti Studentor sqarim të detajuar për të gjitha rrethanat dhe ndodhitë lidhur me zgjedhjet studentore. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button