Studentët kërkojnë hapësirë, jo mbyllje të drejtimeve

Në këto ditë të ftohta dimri, studentët e Universitetit Shtetëror të Tetovës (USHT), në Shkup, ankohen se në këtë objekt është shumë ftohtë.

Për shkak të mungesës së ngrohjes qendrore, studentët janë detyruar që jo vetëm në korridore por edhe ne klasa të rrinë të veshur me xhup. 


“Është ftohtë, disa nga dritaret në klasa janë të thyera, duhet të rrimë të veshur në klasë ashtu si rrimë edhe jashtë. Nuk mundemi edhe të koncentrohemi mirë në provime. Kanë sjell disa ngrohëse por ato ngrohin vetëm ata që i rinë afër”, tha Vildane K., studente.


Ajo shton se verës është shumë ngrohtë shkaku që dritaret janë fikse dhe nuk hapen.

Disa të tjera ankohen shkaku i mungesës së hapësirës.

“Ka ndodhur shpesh herë që provimet të fillojnë me vonesë shkaku se nuk ka klasa të lira. E njëjta gjë ndodh edhe kur kemi ligjërata. Njëherë endemi rreth e rrotull duke kërkuar klasë dhe pasi të gjejmë fillojmë ligjëratën”, tha Fisnik V., student.


Studentët e USHT-së kërkojnë zgjidhje të këtij problemi, kërkojnë kushte më të mira, por jo mbylljen e drejtimeve.

“Mbyllja e drejtimeve nuk është zgjidhje. Duhet të gjejnë apo të ndërtojnë një objekt më të madh duke pasur parasysh që numri i studentëve në Shkup vetëm se shkon duke u rritur nga viti në vit”, thanë ata.

Kohë më parë në këtë Universitet u promovuan disa tituj të përkthyer në gjuhën shqipe, ku mysafirët ishin të shumtë, për shumicën e të cilëve nuk kishte vend, madje probleme kishin dhe kameramanët e televizioneve, nuk kishin vend ku ti vendosnin këmbëza e kamerës.


Ndërkaq kohë më parë Komuna e Çairit bëri të ditur se është ndarë truall për ndërtimin e ri të objektit të USHT-së në Shkup, por ende nuk ka paralajmërim projekti apo nisje të punimeve.

Lajme të ngjashme

Back to top button