Do të çohen studentët e USHT-së kundër ligjit të administratës?

Përderisa vijojnë protestat e studentëve në Universitetin e Prishtinës, studentët e Maqedonisë posaçërisht ata të Universitetit Shtetëror të Tetovës ende hamenden në duhet vepruar apo jo kundër projektligji për administratë i cili sipas tyre është diskriminues.

Ligji i ri për administratorët shtetërorë që ndodhet në procedurë kuvendore parasheh që gjatë punësimit të merret parasysh edhe rangimi i Universiteteve në Maqedoni sipas Listës së Shangajit.

Parlamenti studentor i Universitetit Shtetëror të Tetovës thekson se mund të organizojë protesta në qoftë se në parlamentin e Maqedonisë kalon ligi për administrator, pa asnjë ndërhyrje në nenin 39 pika 6 pikërisht për rangimin e lartpërmendur.

Kryetari i Parlamentit studentor të USHT-së Shaban Arsllani i tha Portalb-it se ka gjasa për protesta, por ende nuk e kanë vendosur.

“Punësimi i administratorëve në bazë të listës së Shangait është një mënyrë për ti shpallur luftë këtij universiteti. Në pamje të parë duket se ky është një skenar i përgatitur nga kuzhinat anti-shqiptare” thotë për Portalb, Arsllani.

Sipas listës së kaluar, USHT doli e fundit në këtë listë. Rezultatet për këtë vit ende nuk janë publikuar.

Arsllani shfaq dyshime për profesionalitetin e kësaj liste duke theksuar se lista e tillë është manipuluar nga dikush, duke mos theksuar se kush.

“Dihet se USHT-së i ndahen më pak mjete se universitetet e tjera shtetërore. Ne kemi reaguar disa herë. Kërkojmë nga faktori politik shqiptar, qoftë pozitë apo opozitë të reagojë” tha Arsllani.

Ai tha se do të presin të shohin se a do të kalojë Ligji i pandryshuar në Parlament dhe më pas të reagojnë.

Një ndër përpiluesit e këtij ligji, është ish profesori i USHT-së, Jahi Jahija  i cili është sekretar shtetëror në Ministrinë për informatikë dhe administratë. 

Ligji pritet të hënën të kalojë në lexim të dytë në seancë parlamentare.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button