Ishte për ferexhenë, s’bën për ambasador

Komisioni për Politikën e Jashtme në Parlament ka kaluar me debate të forta sot, për tre kandidatët për ambasadorë të jashtëzakonshëm. Tre emrat kandidatë janë:  Pëllumb Qazimi në Republikën e Sllovenisë, Ermir Gjinishi në Mbretërinë e Arabisë Saudite dhe Ilir Boçka në Republikën e Serbisë. Deputeti i PS-së Ben Blushi ka dalë kundër kandidaturës së Ermir Gjinishit, pasi sipas tij Gjinishi gjatë aktivitetit të tij ka shkelur parimet kushtetuese të shtetit laik. 

“Ne jemi shtet laik ndërsa Ermir Gjinishi është i njohur si përfaqësues i një komuniteti fetar, pse Ministria e Jashtme e zgjodhi? Ka qenë partizan i futjes së ferexheve në arsim”,- tha Blushi, transmeton Shekulli. Gjinishi, i pranishëm në sallë, e ka kundërshtuar menjëherë Blushin. “Nuk e di për çfarë rasti po flisni. Asnjëherë nuk kam cënuar shtetin laik. Gjithmonë kam respektuar të drejtat e njeriut”, -u shpreh Gjinishi. 

Deputeti i Partisë Demokratike Kastriot Islami akuzoi mazhorancën se nuk po zbaton ligjin për shërbimin me jashtë. “E kemi ngritur këtë shqetësim në mënyrë të vazhdueshme. Këtë mesazh ia adresoj edhe presidentit, që të mos bëhet pjesë e shkeljes së ligjit”, -është shprehur Islami. 

Ndërsa deputetja e PS-së Arta Dade, e cila është edhe kryetarja e Komisionit të Jashtëm theksoi se nuk janë shkelur kuotat e emërimeve politike, por ajo kërkoi nga Ministria e Jashtme të emërojë më shumë gra si ambasadore. 

Ndërsa deputeti demokrat Aldo Bumçi kërkoi nga qeveria të paraqesë platformën e saj për shërbimin diplomatik ,si dhe të mbështesë diplomatët, të cilët janë lënë në listë pritjeje. 

“Ministria e Jashtme nuk po paraqet platformën për shërbimin e jashtëm diplomatik. Ministria ka pasur kohën e duhur dhe për herë të tretë ajo vjen pa raport në komision. Ajo ka nxjerrë në listë-pritjeje 52 diplomatë karriere dhe opozita gjykon se ata duhen mbështetur. Në aplikimin e paketës së re fiskale, elita e diplomacisë tatohet me 23% duke ulur ndjeshëm pagat. Kjo gjë duhet të korrigjohet sa më parë”, -u shpreh Bumçi.

Lajme të ngjashme

Back to top button