Strugë, një dimër me shumë punë për zjarrfikësit

Udhëheqësi i njësisë rajonale të zjarrfikësve në Strugë, Urim Kaba për Portalb, thotë se, gjatë këtij sezoni dimërorë edhe në rajonin e Strugës ka pasur më shumë objekte të kapluar nga zjarri se sa dimrin e kaluar.

Sipas tij deri më tani kanë ndodhur 8 raste të zjarrit, në të cilët njësiti i zjarrfikësve ka intervenuar, duke lokalizuar pasojat.

“Shkak i paraqitjes së zjarreve është pakujdesia gjatë përdorimit  të mjeteve ngrohëse elektrike, mospastrimi i rregullt i oxhaqeve nëpër shtëpi dhe vendet e tjera të banimit si dhe pakujdesi të tjera gjatë përdorimit të mjeteve të ndryshme djegëse gjatë periudhës dimërore”, deklaron Urim Kaba.

Por, që nga një janari i këtij viti Minir Mamudi bëhet udhëheqës i njësisë territoriale të zjarrfikësve në Strugë. Ai shprehet se thjeshtë ka bërë pranimin zyrtar të detyrës.

Njësiti i zjarrfikësve në Strugë, posedon gjithsej 32 zjarrfikës dhe katër automjete zjarrfikëse të vjetërsuara njëra nga të cilat është donacion nga Anglia nga fondacioni “Florian”.

Po ashtu me këtë të fundit është  nënshkruar edhe një Memorandum për bashkëpunim afatgjatë i cili konsiston në trajnimin e zjarrfikësve dhe pajisjen e vazhdueshme me mjete teknike nga të cilët në pranverë të këtij viti si rezultat i marrëveshjes duhet të dhurojë : Një autocisternë, një tymthithës, një kompresor për mbushjen e aparateve ZJF si dhe pajisje përcjellëse -veshje për të punësuarit në NJTZF.

Ajo çfarë është e dukshme qartë është se stacioni zjarrfikës në Strugë ka nevojë për rinovimin e parkut të automjeteve dhe pajisjeve zjarrfikëse pasi pajisjet aktuale u ka skaduar afati.

Blerona Jakupi, Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button