Sela: Plazhet e Strugës do të jenë në funksion të qytetarëve

Plazhet e Qytetit të Strugës do të jenë të lira dhe në funksion të qytetarëve dhe turistëve, bëri të ditur kryetari Zijadin Sela.

Ai njoftoi se të gjitha objektet që janë ndërtuar pa leje do të hiqen.

“Të gjitha objektet që janë aty po hiqen nga kontrata për koncesion. Shumë pyesin se çka po ndodh me plazhet dhe pse ende asgjë nuk ka filluar. Dua të jem transparent dhe i drejtë me qytetarët. Këtë pyetje nuk mund ta bëja kur erdha si kryetari i kësaj komune sepse gjysma e koncesioneve ishin të vazhduara për një vit e gjysmë kurse kontratat e disa të tjerave kishin mbaruar. Kur bëhet fjalë për këtë komunë nuk e lejoj as Ministrinë e Transportit dhe Lidhjes që të jep koncesione jashtë ligjeve të parapara”, tha Sela.

Ai shton se ne planin urbanistik gjeneral askund nuk shkruan se mund të ndërtohen objekte të tilla që prezantojnë rekuizita siç janë karriget e plazhit, rekuizita për sport dhe rekreacion.

“Askund nuk shkruan se mund të ndërtohen bare. Plazhet janë të dhëna nën koncesion por nga ana tjetër nuk është bërë kërkesë për objekte në to. Ajo që do të bëj unë me plazhet është që ato të jenë funksionale dhe ky problem të mënjanohet. Plazhet e qytetit do të jenë të lira dhe do të jenë në funksion të qytetarëve dhe turistëve që vinë gjatë pushimeve të verës”, tha Sela.

Sela po ashtu thotë se ai do të sjell plan urbanistik për Strugën, dhe se për rrënimin e objekteve të egra janë ndarë 2 milion denarë.

Lajme të ngjashme

Back to top button