Kodheli: Dosja “Imami”, vetëm fillimi i punës

Të gjithë ata persona që kanë abuzuar me paratë e taksapaguesve shqiptarë do të përfundojnë në organin e akuzës.

Paralajmërimi është dhënë në këtë fillim viti nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

Sipas saj, dorëzimin i dosjes “Imami” në prokurori është vetëm fillimi i një procesi që do të vazhdojë deri në zbardhjen e plotë të çdo afere të kryer nga kjo ministri.

Proces që pritet të vijojë dhe në dikastere të tjera ministrore. “Puna nuk ndalon me kaq. Ky ka qenë vetëm fillimi dhe është vetëm fillimi.

Detyrimi që auditimi i brendshëm ka apo inspektimi brenda Ministrisë së Mbrojtjes ka për të bërë transparente këtë gjë, është një detyrim që rrjedh nga ligji dhe do të vazhdojë të mbetet i tillë deri sa të zbardhen të gjitha aferat dhe abuzimet që janë bërë në këtë ministri dhe ministritë e tjera”, – ka deklaruar Kodheli në një intervistë për Vizion+.

Sipas saj shkeljet e evidentuara tashmë nga kontrollet e bëra në dikasterin e Mbrojtjes lidhen me abuzimet nga shumë agjenci apo ndërmarrje të varësi të kësaj ministrie, të cilat edhe pse duhet të auditoheshin vit pas viti, ka 5 vjet që askush nuk ka kryer një kontroll në to.

“Procesi i auditimit është një proces që nuk mbaron asnjëherë.

Është një proces që duhet të jetë i tillë se prandaj funksionon. Këtu ka shumë agjenci apo ndërmarrje në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes të cilat nuk janë audituar prej 4-5 vitesh.

Në detyrimin ligjor është që ato duhet të auditoheshin çdo vit”, – sqaron Kodheli.

Ajo akuzon qeverinë e kaluar për abuzim me fondet e Ministrisë së Mbrojtjes në mënyrë të veçantë me fondin e destinuar për modernizimin e Forcave të Armatosura, angazhim ky që është detyrues në kuadër të anëtarësimit tonë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

“Ushtria shqiptare ka pasur para për ta realizuar këtë gjë, edhe mundësitë, edhe kuadrot e përgatitura për ta bërë këtë gjë.

Mendoj se ka munguar vullneti politik për ta kryer këtë investim të madh. Dhe e dyta, paratë e destinuara për të modernizuar ushtrinë shqiptare kanë shkuar në drejtime të tjera, në funksion të pushtetit të atëhershëm apo interesave personale të cilët e kanë dëmtuar modernizimin dhe transformimin më të shpejtë dhe më pozitiv të ushtrisë shqiptare.

Me këtë dua të them se disa punë janë bërë shumë keq, por ka një shtysë të madhe sot për të mundësuar modernizimin real, të prekshëm të Forcave të Armatosura”, – ka pohuar Kodheli.

Viti 2014 sapo ka nisur dhe pritet që ministrja e Mbrojtjes të realizojë një sërë reformash që nisin nga reformimi i kuadrit ligjor të Forcave të Armatosura që ende funksionojnë me ligje të vitit 2002 apo 2004, por sfidat për Kodhelin e bëjnë punën edhe më të bukur.

“Është më e bukur puna kur ka sfida të mëdha dhe besoj ku është rasti im”, pohon ministrja e Mbrojtjes e cila është e para femër në këtë post të rëndësishëm ministror. Madje Kodheli është një nga 4 gratë që ulen në tryezën e 28 vende anëtare të NATO-s .

Lajme të ngjashme

Back to top button