Të rinj të suksesshëm

Janë të rinj në skenë.

Por, përkundër kësaj këngëtarët Neki Emra, Dhurata Ahmetaj, Yll Limani e Loni Gashi përgjatë vitit 2013 lanë gjurmët e tyre në skenën tonë muzikore.

Dhe teksa kanë nisur një vit të ri, shumica prej tyre kanë e vlerësuar të suksesshëm vitin që kaloi.

Këngë të shumta e këngëtarë që na kanë përcjell përgjatë shumë viteve të mëparshme, i patëm edhe gjatë gjithë vitit 2013 në skenë.

Por, arti shqiptar gjatë vitit 2013 u pasurua edhe me shumë emra të rinj të cilët shikuar në fillimet e tyre, premtojnë shumë e zotohen për krijime të vazhdueshme artistike.

Krijime të shumta artistike, zhanre shpesh të paprekshme deri më tash, sollën edhe këngëtarët të cilët, ndonëse jo krejt në fillimet e tyre, më të fortë se kurrë na erdhën vitin e kaluar.

Neki Emra, djaloshi i baladave

Balada të bukura e përplot mesazh ishin këngët që Neki Emra solli vitin paraprak.

Prandaj me plot të drejtë mund të vlerësohet edhe si djaloshi i baladave pasi që në vitin paraprak ai solli tri sosh.

I suksesshëm por edhe premtues ai u shfaq përgjatë gjithë vitit 2013. Ndërsa të suksesshëm vitin që kaloi e vlerësoi edhe vetë përmes një statusi në ‘Facebook’.

“Sot dita e fundit e vitit 2013, është dita kur e rikapitulojmë këtë vit. Duke ju falënderuar juve unë sot jam ku jam.

Gjatë këtij viti kam realizuar 3 këngë dhe 3 videoklipe, kam fituar Videofestin Muzikor, kam fituar Netët e Klipit Shqipëtar, kam pas me qindra mbrëmje muzikore, e shumë e shumë aktivitete tjera të cilat s’po mund t’i përmendi në këtë shkrim…”, kishte shkruar Emra.

Dhurata Ahmetaj, e bukura e skenës

Me një set fotografish të cilat e sollën mrekullisht përpara publikut, të realizuara nga fotografi Veton Osmani, përmbylli një vit të tërë.

Por, nuk ishte e vetmja gjë që ajo solli në treg përgjatë atij viti. Këngëtarja Dhurata Ahmetaj ishte një tjetër këngëtare e cila mblodhi forcë për të sjellë këngë e krijime të reja.

E angazhuar në bashkëpunimin e saj me Bleron, ajo ia doli që të sjellë këngë e klipe të shumta në treg.

Por, nuk do ta lë me kaq. Ahmetaj tashmë ka njoftuar se është duke punuar në krijime tjera artistike të cilat besohet se do ta sjellin më magjishëm sesa ishte.

“Një Vit i Ri do të thotë mundësi të reja…”, kishte shkruar mes tjerash në rrjetin social “Facebook” këngëtarja ndërsa ka lënë të kuptohet se do të ketë të reja nga ajo edhe përgjatë këtij viti.

Ylli magjik

I dalë nga spektakli “The Voice of Albania”, vendi ky që më mirë e prezantoi tek masa, këngëtari i ri Yll Limani, dëshmoi sërish se ishte një këngëtar me vlera.

Edhe Ylli solli shumë këngë e klipe tek fansat e tij, ndërsa baladat duket se e sollën ndryshe duke i shfaqur edhe shpirtin e tij artistik.

Ndonëse synimi i djaloshit prishtinas janë edhe studimet që tashmë ka nis në Universitetin Amerikan në Prishtinë, siç ka deklaruar për Tribuna, ai është zotuar se për asnjë moment nuk do ta lë as këngën, e cila ka theksuar se do ta shoqërojë në çdo moment duke e ‘obliguar’ që edhe në Vitin e Ri të krijojë bukur si dhuratë për fansat e tij.

Loni Gashi, konkurrenti i “MTV Awards”

I fundit, por jo më pak i rëndësishëm se të tjerët është edhe këngëtari Loni Gashi.

Ndonëse pas vetës nuk la shumë këngë e videoklipe, ai ia doli që të konkurrojë artistët e rinj nga e gjithë bota në “MTV Awards 2013”, duke triumfuar shumë nga ata që përbënin listën prej 100 mijë këngëve për t’u pranuar në këtë kompeticion.

Dhe ishte pikërisht Loni ai që do të jetë pjesë e “MTV Music Awards”, për të rinj pasi që kënga e tij është pranuar në mesin e 20 këngëve më të bukura.

“Dëshiroj të ju falënderoj për përkrahjen gjatë karrierës time muzikore. Jam krenar që kam arritur deri këtu por besoj se do të vazhdoj tutje.

Të shohësh veten në televizor për natën e Vitit të Ri është fillim i mbarë i vitit 2014 që do të ketë shumë surpriza për ju!”, kishte shkruar këngëtari në profilin zyrtar në ‘Facebook’.

Lajme të ngjashme

Back to top button