Maqedoni, sanksionet e para për anashkalimin e Marrëveshjes së Përzhinës

Maqedonia filloi ta paguaj faturën për krizën e stërzgjatur politike. Bashkimi Evropian ka përgatitur valën e parë të sanksioneve, në kryeqendër të së cilës janë fondet IPA.

Alsat M mëson se Komisioni Evropian ka miratuar vendimin për pezullimin e 27,1 milion eurove nga fondet IPA për Maqedoninë. Kjo masë e Brukselit siç mëson Alsat vjen si kundërpërgjigje ndaj mungesës së vullnetit politik për zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinës, i cili u arrit një vit më parë me ndërmjetësimit të BE-së. Alsat mëson se Komisioni Evropian njoftimin për “sanksionet e para” ia ka dërguar autoriteteve në vend më 22 qershor.

Burime nga qeveria konfirmuan se kanë pranuar letrën por nuk deshën të komentojnë shumën që është shkurtuar. Por përveç kësaj mase, Alsat mëson se vala e sanksioneve planifikohet edhe më tej me shkurtimin e 50 milion eurove të tjera nga fondet IPA.

Ndërkaq Brukseli nuk ka kursyer as korridorin 8 në kuadër të masave ndëshkuese ndaj Maqedonisë, si një ndër projektet jetike jo vetëm për vendin por Ballkanin në përgjithësi.

Nga ana tjetër përveç Brukselit edhe Uashingtoni duket se ka përgatitur sanksione ndaj zyrtarëve të përfshirë në korrupsion. Në opinion përflitet se ish ministrit të Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakievski i është refuzuar viza për udhëtim në SHBA. Por nga ambasada e SHBA-së në vend nuk komentuan në mënyrë të drejtpërdrejtë rastin e Janakievskit. “Edhe pse nuk mund të komentojmë kërkesat individuale për viza, lufta kundër korrupsionit është një nga prioritetet kryesore të qeverisë amerikane”, theksohet në përgjigjen e ambasadës amerikane në Shkup.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button