Qytetarët e Prizrenit përkujtojnë viktimat e sulmit terrorist në Turqi

Në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Turqisë në Prizren, e cila është konsullata e parë dhe e vetmja në Kosovë, sot qytetarë të shumtë të Prizrenit u mblodhën për t’i përkujtuar njerëzit që humbën jetën në sulmin terrorist në Aeroportin “Ataturk” të Stambollit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të Partisë Demokratike Turke në Kosovë, përfaqësues të organizatave të ndryshme civile dhe qytetarë të shumtë të Prizrenit, si të komunitetit turk ashtu edhe të atij shqiptar dhe boshnjak, për t’i treguar Turqisë se në këto ditë të vështira populli i Kosovës është me ta.

Në fillim, qytetarët sollën lule në oborrin e Konsullatës, për viktimat e sulmit e pastaj bënë lutje të përbashkët për shpirtërat e tyre.

Konsullja e përgjithshme e Republikës së Turqisë në Prizren, Selen Evcit duke vënë në dukje se Kosova është gjithmonë pranë Turqisë u shpreh se dy ditë më parë, menjëherë pas sulmit, Presidenti Hashim Thaçi dhe Kryeministri Isa Mustafa kanë shprehur ngushëllimet e tyre për këtë rast tragjik dhe kanë dërguar telegrame ngushëlluese.

“Gjithashtu edhe qytetarët e Prizrenit dhe të rrethinës sot janë këtu dhe vizitojnë Konsullatën për t’i shprehur ngushëllimet e tyre dhe kanë sjellë këtu karafilë. Falënderoj të gjithë qytetarët e Kosovës për mbështetje. Sot është dita për t’u bashkuar”, u shpreh Evcit.

Ndërkohë zv/kryetari i Kuvendit të Kosovës Fikrim Damka, shprehu dëshirën e tij që këto sulme terroriste të përfundojnë sa më shpejtë dhe shtoi se ky takim është një simbol i ditës së bashkimit të të gjithëve kundër terrorizmit.

Muferra Sinik, deputete në Kuvendin e Kosovës theksoi se këtu së bashku me qytetarët e Prizrenit janë mbledhur për ta mallkuar sulmin terorist dhe të për ta shprehur dëshirën që terrorizmi të marrë fund si në Turqi ashtu edhe në gjithë botën. Ajo u shpreh se jo vetëm turqit e Kosovës por edhe vëllezërit shqiptarë dhe boshnjakë kanë ardhur këtu ta mbështesin popullin e Turqisë.

Në fund, në shenjë kujtimi për të vdekurit në sulm, qytetarë të shumtë shprehën ngushëllimet e tyre në Librin e zisë të hapur nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Turqisë në Prizren.

Libri i zisë u hap edhe në Ambasadën Turke në Prishtinë, ku edhe ministri i Administratës Publikë të Kosovës Mahir Yagcilar shprehu ngushëllimet e tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button