Strugë, banorët kërkojnë ndryshime

Kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të Strugës janë pak a shumë të natyrës së njëjtë sa i përket dëshirave të tyre për vitin që e kemi përpara.

Të gjithë pretendojnë për një Strugë më të pastër, për një qytet në të cilin nevojat dhe kërkesat e domosdoshme do të arrijnë të përmbushen në një afat të shkurtër kohor. 
Për Portalb, qytetarët kanë rreshtuar një mori kërkesash. 

“Ç’do ditë ballafaqohem me problemin e parkimit të veturës, mbizotëron një kaos në këtë aspekt, duam parkingje të reja”-shprehet qytetari Rami Tahiri.

“Jeta është bërë shumë e shtrenjtë, çmimet në treg janë të larta, jam i papunë, uroj të këtë ndonjë investim në këtë çështje dhe të hapen vende pune sepse përndryshe jemi në gjendje shumë të vështirë”- shprehet 40 vjeçari Natmir Oda.

 “Nëpër shkolla ka mungesë të mjeteve të caktuara dhe kjo përbën problem që mësimi të jetë efektiv “-shprehet Jakup Jakupi, mësues.

 “Jam e sëmurë, pension pleqërie nuk marr. Jam në mbikëqyrje të djalit. Ai punon privat dhe pagesa e tij është e ulët, ilaçet për mjekimin tim janë të kushtueshme”- deklaron Sheqere Idrizi.

 “Ka mungesë të librave në bibliotekën e qytetit, kërkesat janë të shumta ndërsa ofertat nën nivel”- shprehet Albina Shabani. “Ndër të tjera do ishte mirë që ta kishim edhe një leximore aty ,ku kohën e lire të mundeshim ta kalonim aty” thotë ajo.

 “Do doja të ndërmerreshin projekte të ndryshme ku unë dhe moshatarët e mi të kishim qasje, konkretisht, të kishim një akses në të gjitha aspektet që do të ndikojnë në “formimin” tonë. Pse jo të ndërmerren aktivitete të atilla ku ne të gjejmë një mirëkuptim, njohje dhe një gjuhë të përbashkët me komunitetin tjetër”.-shprehet gjimnazisti Bashkim Rushidi. 

Veç të tjerash qytetarët e anketuar cituan kërkesat e tyre edhe për infrastrukturën, krijimin e ambienteve argëtuese për fëmijët, të vendoset një zgjidhje në çështjen e mbeturinave të qytetit dhe po ashtu një rendësi me e madhe t’u kushtohet ambienteve spitalore.

Blerona Jakupi, Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button