fbpx

Kush qëndron prapa komplotit ndaj ushtrisë Erdogan apo Gulen, Ushtria Turke kërkon hetime

Ushtria turke po kërkon rigjykimin e ushtarakëve të saj, të cilët gjykatat turke i kanë dënuar për komplot për rrëzimin e Qeverisë.

Ky hap i ushtrisë turke vjen pas aludimeve të Këshilltarit Kryesor te Kryeministrit Erdogan se Fetullah Gulen qëndron prapa komplotit ndaj ushtrisë.

Komanda e Lartë e Forcave të Armatosura turke, ka kërkuar rigjykimin e disa oficerëve që janë dënuar për komplot ndaj rrëzimit të Qeverisë.

Në një deklaratë, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë turke ka akuzuar gjyqësorin dhe policinë për manipulim dhe fabrikim të provave.

Ankesa ka të bëjë me dy profile të larta të hetimeve, të emërtuara “Çekani i varur” dhe “Ergenekon”

Rastet janë parë si një sfidë për traditat sekulariste të Turqisë moderne.

Ish-shefi i forcave të armatosura Gjenerali Ilker Basburg, ka qenë njëri nga qindra të dyshuarit që është dënuar gushtin e kaluar për involvim në aferën e quajtur Ergenekon.

Përveç oficerëve, ushtarakë, avokatë, politikanë dhe gazetarë po ashtu janë dënuar.

Në deklaratën e ushtrisë të lëshuar të enjten, të cilën e ka cituar e përditshmja “Hurriyet”, thuhet se “policia, prokurorët dhe gjykatësit gjatë procesit gjyqësor i kanë injoruar ankesat e avokatëve mbrojtës dhe kanë manipuluar provat kriminale”

“Nëse pranohet ankesa, rigjykimi sigurisht se do të ndodhë” ka thënë Haluk Peksen, njëri nga avokatët mbrojtës, në procesin që ka çuar në dënimin e 300 oficerëve gjatë vitit 2012. Sipas aktgjykimeve, afera “Çekani i varur” ka përfshirë planet për vendosjen e bombave në xhamitë e Stambollit duke nxitur kështu puçin ushtarak.

Partitë opozitare kanë bërë thirrje për rigjykim të këtyre rasteve, pasi këshilltari kryesor i Erdogan, Yalcin Akdogan ka folur për një komplot që ka për cak ushtrinë dhe institucionet tjera.

Akdogan në mënyrë indirekte ka akuzuar ithtarët e klerikut mysliman Fetullah Gulen për komplot ndaj ushtrisë.

Ditëve të fundit tensionet politike janë shtuar për shkak të akuzave për korrupsion që kanë kapluar Qeverinë e Turqisë.

Partia në pushtet që i ka rrënjët në Islam ka bërë disa lëvizje për të minimizuar fuqinë eUshtrisë e cila e konsideron veten si gardiane të të shtetit modern sekular të themeluar nga Mustafa Kemal Ataturk.

Tre ministra kanë dhënë dorëheqje pasi djemtë e tyre janë arrestuar bashkë me shumë të tjerë për shkak të keqbërjeve dhe manipulimeve me kontrata dhe marrëveshjeve me Iranin.

E gjithë kjo ka nxitur shkarkime të policëve dhe zyrtarëve gjyqësorë. Erdogan i ka quajtur këto akuza një “komplot të errët” të nxitur nga forca destruktive jashtë Turqisë.

Analistët thonë se e gjithë kjo rrëmujë është pjesë e betejës për pushtet ndërmjet Qeverisë së Erdogan dhe klerikut mysliman Fetullah Gulen që jeton në SHBA e që thuhet se ka shumë ithtarë brenda policisë dhe gjyqësorit turk.

Lajme të ngjashme

Back to top button