Tungjatjeta!

Nga një barakë e vogël, një xhami e improvizuar,  del një luzmë burrash diku mbi pesëdhjetë e sa vjeç. Me mjekra, pa mjekra, me rrudha gjithsesi, shumica me shtat të deformuar nga jeta e kaluar me vështirësi në kohën e shokut Tito. Të ndjekur, të diskriminuar dhe të rraskapitur. Të ndjekur vetëm për një “faj”. Pse kanë qenë shqiptarë.

“Selamun alejkum”, përshëndesin njëri-tjetrin.
“Alejkum  selam”, vjen përgjigja.

Nuk ka përshëndetje të bukura shqipe. Ato i kanë përjashtuar nga komunikimi i përditshëm. I kanë përjashtuar njerëzit. Jo Perëndia. Se perëndia vetë i ka krijuar gjuhët dhe si i mban të gjithë njerëzit të barabartë, e mban edhe gjuhën shqipe me gjuhët semite. Dhe, me siguri Zoti, që i çmon përshëndetjet “selam” e “shalom”  (një burim etimologjik kanë, që do të thotë paçi paqe) gjithsesi e çmon edhe përshëndetjen e bukur shqipe tungjatjeta. Sa e bukur! Një dëshirë e pastër për tjetrin – t’i zgjatet jeta, të jetojë më gjatë! Nuk i ka përjashtuar as pushteti, as ligji, as partia. Një zot e merr vesh si ndodhin këto mbrapshti!

Ndalesh e mendon. O Zot, çfarë po ndodh? Ç’është kjo që njerëzit kanë filluar t’i dënojnë edhe fjalët e veta shqipe, ta fyejnë atë që u ka mbetur trashëgim nga goja e nënës?

Dhe, tash i kthehesh të kaluarës, të kaluarës së egër të komunizmit të Angel Çemerskit e të Milan Pançevskit, kur nuk mund ta dije se nga të vështron syri i hafijeve, se ku e kanë vënë veshin spiunët, në cilin mur e kanë ngjitur, në cilin gardh e kanë varur e të dëgjojnë mos, helbete, e thua ndonjë fjalë shqipe e cila të sjell asociacione Shqipërie apo shqiptarizmi. Habitesh tash se si atëherë më rrallë ka pasur  përshëndetje semite se sa përshëndetje shqipe. Atëherë kur takoheshin miku me mik, shoku me shok përshëndeteshin me Tungjatjeta, Mirëdita, Mirëmëngjes, Mirëmbrëma dhe këto përshëndetje kumbonin bukur.  Habitesh pse atëherë nuk u ka penguar përshëndetja shqipe as komunistëve, as hafijeve të UDB-ës. Çka është puna sot? Kush janë ata që fjalën shqipe e gjykojnë. Kush janë ata që përshëndetjen shqipe e dënojnë.

E bisedon me miq këtë punë e njëri të thotë:

“Kurrgjë s’është kjo! Ec të shohësh diçka tjetër! Eja pas meje!” të thotë dhe të prin, drejt e në një çajtore.
“Lëshoje atë, si i thonë bre?… e di ti për çka e kam fjalën!” i thotë kamerierit dhe ai me një të shtypur të digitronit e aktivizon televizorin.

Në ekran del një hoxhë me mjekër të shpeshtë, voluminoze. Mban ders diku para besimtarëve dhe nasihati i tij të bën të ndjehesh keq. Shumë keq për shkak të temës që trajton: E drejta martesore.  Sipas tij qenka krejtësisht e natyrshme që njeriu të martohet me të bijën e xhaxhait, të hallës, të dajës e ku ta di se çka tjetër. Dhe, tash, kur po mundohem t’i shkruaj këto fjalë që i shqiptonte thuajse me qortim hoxha, ndjej një lëmsh në kraharor, një lëmsh që ma zë frymën. Njësoj sikur e ndjeva kur e dëgjova “dersin” e tij.
Të bijën e xhaxhait… të bijën e hallës… të bijën e tezes… të bijën e dajës… Me to të martohemi… të bëjmë krushqi. Mos o Zot! Po, për ne shqiptarët ato gjithmonë kanë qenë motra. Ne nuk jemi martuar dikur as brenda fshatit, jo më si thoshte ky hoxhë i dalldisur. I kemi edhe ne kodet tona morale, që janë tonat e që na e formësojnë identitetin kombëtar. Kjo që na mësojnë që të martohemi kësisoj është një kërkesë që të na tjetërsojnë duke na shpjerë në Mesjetën e largët dhe duke na ofruar të bëjmë jetë semite. Një jetë të largët për kuptimet tona. Jo një jetë me vlerat e bukura që e kemi trashëguar nga të parët tonë, të cilët kanë pranuar të sakrifikojnë shumë gjëra të shenjta, përveç njërës – gjuhës shqipe. Kurrë nuk kanë pranuar ta sakrifikojnë gjuhën shqipe. Me shekuj, madje edhe sot e kësaj dite,  mundohen ta ruajnë shqiptarët gjuhën e tyre ani se janë detyruar të shpërngulen nga zullumet e ndryshme në Siri, në Turqi, në Itali, në Ukrainë, në Zarë e ku ta di se ku tjetër.
Gjithkund e gjithmonë nënat tona janë përshëndetur në gjuhën tonë shqipe dhe  Zoti i ka bekuar. Sigurisht që gjithkush e di se etërit shqiptarë e kanë pasur qejf të thonë “hoshgjeldën” dhe “selam”. “Hoshgjeldën mik”… “Selam bani babës”… ndërsa nënat tona kurrë, kurrë nuk i kanë bërë  “selam” kujt e as që i kanë thënë “hoshgjeldën”. Ato, të mirat nënat tona, gjithmonë e kanë pritur mysafirin me “mirëserdhe” dhe në vend të selamit kanë thënë “shnet” ose “fal me shnet”.  Ato kanë qenë mburoja e gjuhës shqipe, në vend të shtetit që s’e kemi pasur, ose që nuk ka çarë kryet për këtë punë.

Sa mirë do të kishte qenë që të përpiqemi ta ruajmë gjuhën e traditën. T’i respektojmë lidhjet tona familjare që ndër shekuj janë bërë të shenjta. Ta dimë se kushërinj e kushërira janë lidhje të afërta gjaku. Barabarësisht si motër e vëlla. Pikërisht si motër e vëlla. T’i respektojmë traditë e gjuhë. Traditën tonë. Gjuhën tonë. Për shumë arsye…

Më bukur është të themi Tungjatjeta. Ose Ju ngjattë jeta… S’ka më bukur kur kushërinj e kushërira mbahen si motër e vëlla.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button