Shkup, banorët: Shkolla duhet të jetë prioritet jo kisha (FOTO)

Banorët e fshatit Vizbeg ankohen dhe kërkojnë që sa më shpejt të ndërtohet shkollë për fëmijët e tyre, të cilët duhet të udhëtojnë deri në Shuto Orizarë për të ndjekur mësimin.

“Është gjynah që fëmijët tanë të udhëtojnë që në moshë të vogël. Duke pasur shkollën këtu e cila më shumë se pesë vite rri e mbyllur. Tani numri i nxënësve është rritur, edhe ajo shkollë duhet të hapet, kemi nevojë për të”, tha për Portalb, Hasan B. nga Vizbegu.

Një banor tjetër na njoftoi se në këtë fshat ka filluar të ndërtohet një kishë, e cila sipas tij, nuk është më e nevojshme sesa ndërtimi i një shkolle.

“Nuk jemi kundër ndërtimit të kishës në fshatin tonë, por ne kemi nevojë për një shkollë, bëjmë apel deri në komunë që duhet të gjendet zgjidhje e shpejtë sepse fëmijët tanë po maltretohen. Shkolla duhet të jetë prioritet e jo kisha”, tha tha për Portalb, Fadil J. po ashtu nga Vizbegu.

Nga komuna e Butelit bëjnë të ditur se në Vizbeg është paraparë të ndërtohet shkollë fillore por edhe foshnjore për parashkollorët.

“Faza për ndërtimin e objekteve shkollore në këtë fshat është në fazën e detajizimit urban dhe së shpejti pritet të përfundojë, mirëpo ne jemi duke ndërtuar shkollën ‘Zhivko Brajkovski ‘ në lagjen e Butelit e cila parashikohet të përfundojë në shtator të këtij viti. Komuna fatkeqësisht nuk ka kapacitet që të ndërtojë dy objekte shkollore në të njëjtën kohë”, tha tha për Portalb, Snezhana Klinçarova, zëdhënëse e komunës së Butelit.

Ajo shtoi se punimet do të fillojnë pas shtatorit të këtij viti.

“Shkolla periferike ‘Kliment Ohridski’ e cila është në këtë fshat është shumë e vogël dhe nuk plotëson kushtet për të zhvilluar mësimin në të, për këtë arsye është ndarë një vend i madh i tokës shtetëror për ndërtimin e një shkolle dhe një foshnjore”, tha tha për Portalb, Klinçarova.

Sa i përket kishës, ajo shtoi se komuna nuk e ndërton atë, por është iniciativë dhe projekt i bashkësisë fetare të këtij fshati.

“Lejen për ndërtim e kemi dhënë ne dhe gurë themeli është vendosur në fund të shtatorit, të vitit që lamë pas, por mjete komuna nuk ka ndarë për ndërtimin e saj, ajo është projekt i bashkësisë fetare të cilët me donacione janë duke e ndërtuar kishën”, shtoi Klinçarova.
Sipas saj edhe banorët shqiptarë të këtij fshati ishin pro ndërtimit të kishës.

Ndërkaq sipas regjistrimit të popullsisë së viti 2002 fshati Vizbeg kishte 2,817 banorë nga të cilët 2,069 ishin shqiptarë, 650 maqedonas, 16 rom, 14 boshnjake, 5 vlleh, 3 turq, 46 serb dhe 14 tjetër. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button