Përmirësimi i gjendjes shëndetësore të romëve, “mjete shumë rezultate aspak”

Edhe pse Qeveria e Maqedonisë çdo vit ndanë mjete nga buxheti, siguron donacione dhe kredi, qytetarët e Bashkësisë Rome akoma po përballen me probleme të mëdha rreth cilësisë dhe qasjes në kohë të mbrojtjes së shëndetit të grave dhe fëmijëve. Ky ishte mesazhi nga konferenca për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe grave rome, të organizuar nga OJQ-të dhe Bashkësia e Romëve në Maqedoni, raporton Portalb.

Bashkësia rome në bashkëpunim me organizatat qytetare, Shoqata për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave-ECE, Qendra për Zhvillim Demokratik, Iniciativa – QZHDI, dhe Qendra e Resurseve për Romët- QRR, kërkuan nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë dhe Ministria e Shëndetësisë që t’i pranojë masat e propozuara, për rritjen e përfshirjes së nënave dhe fëmijëve të bashkësisë rome në shërbimet preventive.

Qëllimi është që të arrihet numër i përshtatshëm i motrave të patronazhit për vizita shtëpiake për përcjelljen e shtatzënisë, pas lindjes, për fëmijë jashtë sistemit të arsimit, për gratë gjatë periudhës riprodhuese dhe për të mitur.

Ata gjithashtu potencuan nevojën për edukim shëndetësor dhe vaksinim në mjediset rome dhe ato rurale, si dhe përfshirjen e fëmijëve romë në vaksinim në mënyrë të barabartë me fëmijët e përkatësive tjera etnike, transmeton Portalb.

Sipas hulumtimeve që kanë bërë organizatat qytetare kanë ardhur në përfundim se, pjesa më e madhe e grave rome gjatë periudhës së shtatzënisë nuk janë vizituar nga motrat e patronazhit, ndërsa në periudhën e parë të këtij viti, në krahasim me përkatësitë tjera etnike, gratë rome pas lindjes janë vizituar vetëm 2%.

Përndryshe, për tejkalimin e këtyre problemeve Qeveria e Republikës së Maqedonisë dhe Ministria e Shëndetësisë në vitin 2012 filloi një projekt realizimi me vlerë prej 136.246.867.00 euro, mjete që u siguruan nga Granti holandez ORIO, Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës dhe Buxheti i Maqedonisë. Megjithatë, qytetarët nuk vërejtën përmirësime as ndryshime nga realizimi i këtij projekti, ndërsa Ministria e Shëndetësisë nuk jep të dhëna nga realizimi, u përfundua mes tjerash në konferencën e sotme. /Portalb.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button