Çfarë pritet nga politika shqiptare në vitin 2014?

Me rastin e festave të fundvitit duket sikur kemi rënë qetësi nga aktivitete politike, por shumë shpejt pritet që politikanët tanë të nisin një axhendë të mbushur me aktivitete.

Vitit 2014 do të jetë një vit i mbushur me risi politike, për shkak se në qershor të këtij viti vendi ynë pret të marrë edhe statusin kandidat.

Më 20 janar nis beteja e parë parlamentare për këtë vit, ku do të ketë diskutime të shumta, por ajo kryesore e politikës edhe këtë vit nuk ka ndryshuar.

Shqipëria ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian.

Deri në qershor, shenjat politike dhe ekonomike që vendi duhet t’u japë anëtarëve të BE-së duhet të jenë qartësisht pozitive, për të marrë konfirmimin për statusin. 

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, vendosën shtyrjen e vendimit për dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë.

Komisioneri për zgjerim, Stefan Fyle tha se statusi për Shqipërinë shtyhet për në qershor 2014. Fyle evidentoi se në Shqipëri janë shënuar zhvillime domethënëse, duke kërkuar  konsensus ndërpartiak.

Ministrat e Jashtëm, theksojnë ndërkohë se statusi për Shqipërinë është çështje kohe, duke vlerësuar progresin e arritur nga vendi ynë.

Por, ata theksuan që vendi duhet të bëjë akoma më shumë përparime në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. 

Nuk dihet se sa Shqipëria mund të fitojë këtë 6 mujor të parë të presidencës së BE-së nga Greqia, e cila pret të paktën një marrëveshje të kufijve detarë të firmosur.   

Gjithashtu këtë muaj pritet që qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, të mbajnë mbledhjen e përbashkët, e paralajmëruar që në shtator të vitit që lamë pas, në qytetin e Prizrenit.

Dy kryeministrat, Hashim Thaçi dhe Edi Rama konfirmuan janarin si muajin kur do të zhvillohet edhe mbledhja mes dy qeverive të cilat synojnë të hartojnë një strategji të përbashkët qeverisjeje mes dy vendeve, për t’i bërë kufijtë shtetërorë të padukshëm. 

Kryeministri Rama në konferencën për shtyp të fundvitit 2013 tha se mbledhja e parë e qeverisë shqiptare do të jetë një mbledhje e përbashkët me qeverinë e Kosovës.

Ambicia e qeverisë së Shqipërisë, sipas Ramës, është një hartimi dhe funksionimi i një strategjie të përbashkët qeverisje me Kosovën, për t’i bërë kufijtë e padukshëm./Shekulli/

Lajme të ngjashme

Back to top button